Në Europë si individ, se si kolektiv do shumë kohë!

Po më binte të debatoja mbi “idealizmin” apo momentin “iluminist” tonin në fund diktaturën e Ramizit, me dikë që në fakt ka të drejtë të madhe të jetë i inatosur. Pavarësisht se nga drejtohet inati, unë si në ndryshim të madh me karakterin tim i them të mos e marrë shumë seriozisht këtë gjë. Gjithsesi fjala nxjerr fjalën, dhe më duhet të dal te thelbi i vërtetë i asaj që dua të trajtoj! Që në fillimet e demokracisë, atëhere kur na nxirrnin sytë lot dhe nuk e dinim sinqerisht se në çfarë “haleje” si praktikë do të përfundonte demokracia, e kuptoja destinacionin “Europë” si diçka që bëhet kolektivisht! Individualisht përpara ‘90-tës mund ta kisha bërë, por mendova se do merrja në qafë familjen. Po e prita të bëhej kolektivisht! E ky ishte dhe faji i madh i imi dhe disa të tjerëve si puna ime. Sigurisht që kisha lexuar më shumë se një pjesë e mirë, kisha një bagazh të madh letrar dhe historik, por dhe mua si babait tim, më mungonte prakticiteti, më mungonte sensi i reales në politikë, dhe sidomos kisha të tepruar presionin e ideales si frymë ideologjike që tashmë nuk ishte ajo që na kishin mësuar në shkollë dhe çarë veshët nën regjim. Idealizmi im shkonte deri aty, sa të mohonte kohëzgjatjen e jetës njerëzore. Hahaha, isha një “adoleshent 31 vjeçar” që po besonte vërtetë te ato ngjarje dhe ata njerëz që më vonë do “t’ia hipnin” Shqipërisë akoma më keq se sa ata që kishin ikur! Do ta vidhnin, do ta poshtëronin, por dhe do ta zhvirgjëronin nga ide idiote të komunizmit se “ishim populli më i ndershëm dhe më i mirë në botë”! Nuk kuptoja as në vitin 1990 dhe as në vitin 1991, kur në Shkodër u krye masakra-kurth e Komitetit të Partisë, e cila i dha përfundimisht fitoren e PD-së në Tiranë dhe Shqipëri, sepse nuk do të kishin fituar sërish. As aty nuk mora mësim. Nuk më kishin pëlqyer filmat me konspiracion dhe as librat e tillë dhe duke qenë i drejtpërdrejtë vetë (jo vetëm unë, por dhe shumë si unë) nuk shkoja më thellë të kuptoja më mirë se “pamjet nuk janë të vërteta” por pjesë të një skenari që bashkonte si “anëtarët e leverdisë të Ramiz Alisë dhe spiunët e Sigurimit të Shtetit që tashmë ishin të parët në startin e demokracisë”! Biles, ata ishin dhe tashmë janë veteranë të demokracisë, të dekoruar dhe me histori që na kanë tërhequr zvarrë për 25 vite si shoqëri. E sigurisht unë dhe disa si unë, besonin se kishte ndryshuar gjithçka për mirë. Ky ishte një nga idiotizmat më të jashtëzakonshëm që ndodhin rrallë në jetën e një brezi, por ja që i takoi brezit tonë, të ketë si marrëzinë dhe stomakun e thatë të diktaturës dhe poshtërsinë dekorative të jetës në demokraci?! Tani mbas 25 viteve, jemi në dilemën në se bëmë mirë që pritëm të shkojmë kolektivisht në Europë? Po, në zhgënjim të madh, dhe në një lodhje të madhe kryesisht psikologjike, por dhe ekonomike e fizike. E kjo vërtetohet se përballë kemi po të njëjtat fytyra, të njëjtat modele njerëzore, që nuk është se nuk i ngjajnë këtij populli, por kanë akoma më neps se sa ai. Gjithsesi nuk dua t’i jap vlerë në shkrim këtij momenti, por as pa e përmendur nuk mund të rri. Dy – tre prej këtyre individëve tani mbas 25 viteve, janë për t’ju bërë një gjyq që ato të Nurenbergut duhet ta kishin zili! Janë përgjegjës për vrasje ordinere dhe politike, fatkeqësi financiare dhe ekonomike, por dhe ngjarjesh të shkaktuara si pasojë administrimi, shkatërrim prone dhe ndarje të pa drejtë të saj, grabitje të pasurisë kombëtare dhe vjedhje në tendera, mungesë të jashtëzakonshme të barazisë dhe drejtësisë, mungesë të demokracisë së brendshme në parti, thyerje me dashje të ligjit dhe mos mbajtje përgjegjësi për thyerje të kushtetutës së Shqipërisë. Do kishin mjaftuar vetëm dy gjëra për t’i kalbur në burg të tillë maskarenj dhe kriminelë, por ato kanë ndaluar pluralizmin dhe demokracinë në këtë vend, i cili nuk ka ligj të zbatuar dhe organe drejtësie si prokuroria dhe gjykatat. “Paperonë” të tillë të pasurisë së vjedhur dhe grabitur, kanë dhe pozitat kyçe në ekonomi e cila varet plotësisht nga politika në këtë vend. Maskarenj të tillë, edhe koncesionet i kanë bërë për të shkrumbuar shqiptarin dhe shkatërruar çdo qeveri më pas. Po, dhe po vërtetohen dhe do të vazhdojnë të vërtetohen më pas. Kurse unë them, se “më dilnin lot” atëhere kur Ramizi kishte vendosur të lejonte pluralizmin dhe organizoi atë që ndodhi?! Po, shfrytëzoi dhe një pjesë të atyre që kishin një shumicë të drejtë, dhe bëri të merrnin drejtimin politik disa ose më mirë një tip që edhe dje thërriti fort si këto 25 vite për revolucion! Më tepër se sa doktori i ish PPSH-së, dhe kryetar i PD-së për revolucionin dhe forcën e tij, ka bërtitur vetëm Fidel Kastro! E kjo, sepse ka pasur kohë më të gjatë në pushtet dhe jo se ka pasur më shumë intensitet. E kam pasur gabim. Unë duhet të kuptoja atëhere, se si individ nuk kemi asnjë problem me futjen në Europë, apo sjelljen si në Europë. Ne kemi problem të madh si kolektiv! Dhe pse kemi kaq problem?! Kemi problem, sepse imagjinoni të futësh në Europë bie fjala 200.000 persona si doktori, ose dhe si disa të tjerë por më poshtë tij, nga të gjithë krahët?! E imagjinoni dot se çfarë “bën vaki”, por të ketë dyqind mijë doktorë të tillë?! Do të thotë që … as fantazia më e madhe nuk më shkon deri aty. Hahaha, mbase duhet të shpallim një etalon mase të ri në Servë të Parisit?! Jo, si kolektiv nuk shkojmë dot në Europë, sepse nuk jemi gati dhe për shumë vite. Ata do të na marrin me zor (nëqoftëse e kanë bërë mend), ose kur të ketë filluar largimi i shteteve nga Europa, ndërsa ne vijojmë të kërkojmë të futemi brenda… Por, edhe atëhere do të jetë e vështirë. Sepse “koha e turkut nuk ka dalë akoma, i është shtuar dhe koha Enverit që do kohë akoma të dalë, por mbi të është shtuar dhe koha e Saliut… E të treja, nuk ka burrë që t’i nxjerrë nga kolektivi shqiptar psikologjikisht dhe moralisht, veç nëqoftëse bën zoti vaki, gjithmonë nëse ai kujtohet për ne dhe është diku realisht, dhe jo vetëm idealisht?! Nga Besi BEKTESHI

scroll to top