Në maj fillojnë punësimet e para në Zonën e Tetovës

Investimi i Kompanisë amerikane LEAR dukshëm do ta zvogëlojë papunësinë në rajonin e Pollogut dhe do ta afirmojë Pollogun për investime te reja nga kjo industri pasi që brendi amerikan LEAR, është njëri nga gjigantët më të mëdhenj botëror në këtë industri

Urim HASIPI

Ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, ka vizituar zonat teknologjike industriale zhvillimore ne Tetove, Kërçovë dhe Strugë. Në vizitën në Tetovë ministri Neziri ishte i shoqëruar nga drejtori i Agjencionit për investime të huaja, Visar Fida, zëvendësdrejtori i Drejtorisë së zonave teknologjike industriale zhvillimore, Asip Useini dhe drejtori i Inspektoratit shtetëror teknik, Ekrem Bunjaku. Pas takimit me ministrin Neziri, drejtori i zonës ekonomike në Tetovë, Arben Halili, theksoi se ka informuar delegacionin me risitë në këtë zonë. “I informuam së afërmi për të gjitha aktiviteteve të realizuara deri më tani, me theks të veçantë rreth implementimit, respektivisht realizimit të projektit më gjigand që e kemi në kuadër të Zonës ekonomike të lirë në Tetovë që është projekti i LEAR-it. Tashmë kemi marrë edhe lejen për fillimin e punëve përgatitore dhe besoj se shumë shpejt do marrim edhe lejen për ndërtimin e këtij objekti dhe sigurisht implementimi i këtij projekti, i cili në bazë të marrëveshjes që kemi me kompaninë amerikane, duhet të jetë gati më së voni deri në mes të muajit maj”, tha Arben Halili. Në ndërkohë, ministri Neziri tha se ka biseduar me drejtuesit e Zonës ekonomike lidhur me problemet që mund të hasen në relacion me qeverinë. “Sot bashkërisht me një delegacion të udhëhequr nga unë si ministër i Ekonomisë, vizituam përfaqësuesit ose partnerin privat i cili menaxhon me Zonën Ekonomike të Tetovës dhe biseduam me problemet të cilat i has si partner privat kuptohet në relacion me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Biseduam më konkretisht për pjesën ndërtuese ose për kapacitetin i cili duhet të ndërtohet për kompaninë Lar, një projekt i madh i cili projekt pritet që të ketë rreth 2500 punësime. Javën e kaluar, nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, u dha vendimi për përgatitjen në aspekt përgatitor që të mund të fillojë ndërtimi dhe besoj që deri ditën e premte të kësaj javës do të marrin edhe lejen për ndërtimi”, tha ministri Neziri. Ai më tej njoftoi se në fillim të muajit maj të vitit të ardhshëm, priten 800 punësime në këtë zonë në kuadër të investimit të LEAR-it. “Ajo me të cilën u morëm vesh me partnerin privat është që deri më 15 maj segmenti i kapacitetit të LEAR-it në aspektin të prodhimit të jetë i ndërtuar dhe kuptohet konform marrëveshjes ose konform lejeve të cilët i kanë marrë nga Ministria e Ekonomisë dhe nga Qeveria. Partneri privat duhet t’i respektojë dhe nëse respektohen këto parime dhe besoj se prej muajit maj fillimisht do të ketë diku rreth 800 punësime të reja, madje deri në fund të vitit 2018 pritet që të ketë edhe 2500 punësime tjera”, deklaroi ministri Neziri. Ndryshe, kompania amerikane”Lear Corporation -NYSE-LEA”, fillimisht nënshkroi kontratën për investim në fabrikën e re në Zonën industriale zhvillimore të Tetovës. Ashtu siç ishte paraparë, repartin prodhues do ta hapë në Gostivar, kurse më pas do të transferohet në Tetovë ku do të ndërtohet edhe fabrika e re e këtij gjiganti të prodhimit të aksesorëve për automobila. Prodhimet nga kjo fabrikë do të eksportohen kryesisht në kompanitë automobilistike të Evropës perëndimore, pasi që në këtë kapacitet prodhues do të prodhohen karrige për automobila. Duke e pasur parasysh se çdo vend i ri i hapur i punës krijon vende të reja pune në industrinë e shërbimeve, ky investim dukshëm do ta zvogëlojë papunësinë në rajonin e Pollogut dhe do ta afirmojë Pollogun për investime te reja nga kjo industri pasi që brendi amerikan “Lear”, është njëri nga gjigantët më të mëdhenj botëror në këtë industri.

scroll to top