Në USHT u hap Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor (FOTO LAJM)

Sot, në Universitetin Shtetëror të Tetovës u bë hapja solemne e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor. Kjo qendër është hapur në bashkëpunim mes Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Universitetit të Ilinoisit Verior nga Çikagoja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përurimin e kësaj qendre e bënë Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, Prorektori i Universitetit të Ilinoisit Verior (Northern Illinois), znj. Lisa C. Freeman dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Republikës së Maqedonisë, Abdilaqim Ademi.

Të pranishmëve në këtë përurim, me fjalë përshëndetëse ju drejtua Rektori i USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, i cili tha se kjo qendër për qëllim ka avancimin e paqes, menaxhimin e konflikteve dhe mirëkuptimin ndërkulturor në të gjithë botën.

“Kam kënaqësinë e veçantë që sot t’Ju drejtohem me fjalë rasti në këtë ditë të rëndësishme për studentët, profesorët dhe mbarë opinionin publik, sepse pikërisht sot, ne së bashku me Universitetin e Ilinoisit Verior, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e përuruam Qendrën për Paqe dhe Menaxhim Transkulturor. Themelimi i kësaj qendre ka për qëllim avancimin e paqes, menaxhimin e konflikteve dhe mirëkuptimin ndërkulturor në të gjithë botën. Qendra për Paqe dhe Menaxhim Transkulturor, me seli në Universitetin Shtetëror të Tetovës, synon të sigurojë platformë akademike neutrale, në të cilën do të bazohet nxitja e shumëllojshmërisë së diskutimeve, me qëllim të arritjes së paqes përmes modelit të arsimit. Nëpërmjet kësaj qendre, qeveritë, studentët dhe palët kryesore të interesuara do të kenë qasje në burimet për të menaxhuar në mënyrë efektive konfliktet dhe keqkuptimet, për të siguruar paqe globale dhe prosperitet ekonomik”, tha rektori i USHT-së.

Ai tha gjithashtu se, universitetet tona, themeluese të qendrës, do të angazhohen konkretisht në realizimin e hulumtimeve të problematikave që kanë lidhje me paqen dhe menaxhimin ndërkulturor, do të krijojmë një bazë informacionesh për çështjet kritike rajonale, do të organizojmë punëtori, simpoziume dhe konferenca vjetore, në të cilat do të mbahen ligjërata akademike në përputhje me mision tonë të përbashkët.

“Përpos aktiviteteve të lartpërmendura, Qendra për Paqe dhe Menaxhim Transkulturor, në të ardhmen do të ofrojë programe trajnimi me certifikim, simpoziume, kurse për studentët, si dhe për çdo program tjetër ndërkulturor që zyrtarët e qendrës e konsiderojnë të rëndësishëm për zbatimin e misionit. Me këtë rast, në emër të udhëheqësisë së Universitetit, të stafit akademik dhe të studentëve, u shprehim mirënjohjen tonë të thellë drejtuesve të Universitetit të Ilinoisit Verior, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për gatishmërinë e tyre për të themeluar këtë qendër në një kohë kur paqja dhe komunikimi mes popujve është shndërruar në prioritet kryesor për të gjithë ne”, shtoi Vullnet Ameti.

Prorektori i Universtitetit të Ilinoisit Verior, znj. Lisa C. Freeman, theksoi se, përmes kësaj qendre do të krijohet një model i ri për bashkëpunim ndërkulturor dhe ndëretnik.

“Jemi shumë të entuziazmuar për bashkëpunimin me Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe për këtë e falënderoj Rektorin e USHT-së, Prof. dr. Vullnet Ameti, po ashtu dhe Ministrin e Arsimit dhe Shkencës, z. Abdilaqim Ademi, që është këtu bashkë me ne. Me anë të këtij bashkëpunimi ne dëshirojmë të krijojmë një model për bashkëpunimin ndërkulturor dhe ndëretnik këtu në Republikën e Maqedonisë. Është një mundësi e mirë që ne së bashku të demonstrojmë fuqinë akademike për të mirën e akademisë dhe të komunitetit të gjerë. Përmes këtij bashkëpunimi ne do promovojmë demokracinë, paqen, bashkëpunimin ndëruniversitar dhe do të krijojmë ura të bashkëpunimit edhe mes studentëve”, tha Lisa C. Freeman.

Nga ana tjetër, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi tha se kjo qendër ka një simbolikë shumë të madhe dhe hapet në momentin më të rëndësishëm për rajonin.

“Më vjen mirë që sot jam këtu në këtë ceremoni kaq modeste, por me një simbolikë shumë të madhe, jo vetëm për USHT-në, por për të gjithë vendin tonë, sepse sot hapet një qendër e cila nuk është me seli në kryeqytetin e vendit tonë, siç kanë traditë qendrat e këtilla që të hapen nëpër kryeqendra, por hapet në Tetovë, hapet në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dhe këtu qëndron edhe simbolika, sepse nëpërmjet kësaj qendre USHT-ja, Tetova, vendi ynë dhe rajoni do të mund të përcjellin përvojën amerikane për proceset demokratike në vendin tonë, për parandalimin ose menaxhimin me konfliktet, por gjithashtu edhe promovimin e paqes në mes popujve dhe paqes në rajon. Kjo qendër hapet në momentin do të thosha më të rëndësishëm për rajonin, veçanërisht kur kemi parasysh sfidat me të cilat përballet vendi ynë, rajoni dhe Evropa dhe shpresoj që përvoja amerikane do të përcillet shumë mirë nëpërmjet kësaj qendre dhe nëpërmjet Universitetit Shtetëror të Tetovës”, u shpreh Ministri Ademi.

Në përurimin e kësaj qendre morën pjesë, stafi akademik i USHT-së, si prorektorët, sekretari i përgjithshëm, senatorë, dekanë, shefa të programeve studentore, profesorë, studentë, si dhe mysafirë të tjerë.

scroll to top