Nënat shqiptare këmbëkryq në derën e gjykatës

Republika e Maqedonisë ёshtё ndër vendet me laramani më të madhe etnike: shqiptarë, maqedonas, vllahë, turq, bullgarë, romë, jevgj, boshnjakë (Greqia pohon se ka edhe grekë). Kontradiktat në mes të tyre patjetër qe ka. Janë kultura të ndryshme, mendësi të ndryshme, gjuhë të ndryshme, tradita të ndryshme, folklor të ndryshim etj. Por kontradiktat më të theksuara shënohen te dy popujt më numerikë në vend: në mes të maqedonasve dhe shqiptarëve. Natyrisht që këto përplasje nuk datojnë nga dje. Rrënjët e tyre duhet kërkuar thellë në histori, mendoj në historinë e re të kësaj shoqërie. Bile, unë mendoj se këto nxjerrin krye qysh me krijimin Republikës së Maqedonisë, si njësi federale e shtetit të ri të dalë nga Lufta e Dyte Botërore – Jugosllavisë Federative. Dhe shkaku fillestar është mostrajtimi i komunitetit shqiptar si element i barabartë përbërës i kësaj Republike, edhe pse kishte dhënë shumë kontribut në Luftën e posa përfunduar, bashkë me aleatët. Aq më tepër kur të kihet parasysh përqindja e madhe numerike e tyre. Orteku i pabarazisë, diskriminimit, nënçmimit (edhe shfrytëzimit që i bie erë koloniale), nis këtu dhe vazhdon të rrokulliset e të rritet deri në ditët e sotme.

Dukuria e përballjeve midis dy poleve të ndryshme, është e njohur në mbarë botën. Te ne kjo përplasje ndodh midis dy shoqërive (dy komuniteteve) më të mëdha etnike në vend: asaj maqedonase dhe asaj shqiptare. Kontradiktat midis tyre janë të mëdha dhe burimin e kanë te pabarazia ekonomike, ndarja e pabarabartë e pushtetit, ndarja e pabarabartë e buxhetit (si e keqja më e madhe), shpërngulja me dhunë për në Turqi, investimet diskriminuese, mohimi i autoktonisë, mungesa e shkollës së mesme, e të mos flasim për universitetin. Punëtorët e arsimit e dinë fare mirë se edhe cilësia e arsimit ka qenë shumë e mangët: shkollat tona kanë qenë pa bazë të konsoliduar materiale, kanë munguar kabinetet me mjete konkretizimi, pa tekste adekuatë (përkthyer, bile shumë keq). etj., etj. Kulm mbi të gjitha vjen mungesa e demokracisë. Në shoqëritë demokratike qytetari lihet i lirë të përcaktohet për besimin, shprehjen e lirë të bindjeve ideologjike, etj. Në Maqedoni demokracia ka munguar, sidomos para vitit 1991, për të gjithë, por edhe te kjo mungesë shqiptarët kanë qenë kampionë. Të gjitha këto, e shumë faktorë të tjerë që nuk u përendën, ndikuan në krijimin e ndasive të theksuara. Shoqëria shqiptare ishte dhe mbeti (pa dëshirën e saj) në pozita inferiore shoqërore, ekonomike, arsimore, kulturore. Si e tillë tek ajo krijohen ndjesia e të padrejtësuarit dhe për këtë fajtorin e kërkon te pushteti dhe, pushteti deri vonë identifikohej me maqedonasin…

Një nga faktorët relevantë të shkakton pakënaqësi dhe revoltë te shoqëria shqiptare në Maqedoni, padyshim është edhe gjyqësia, apo të jem më e qartë – vendimet e gjyqësorit. Këtu nuk mund të lëmë pa përmendur policinë, hetuesin dhe prokurorinë. Procedurat hetimore në njëmijë e njëqind raste janë zhvilluar me lëshime të mëdha, duke mos marrë parasysh dëshmi faktike, por ato janë sajuar sa për të pasur prokurori një shkak, kurse motivet kanë të natyrës politike. Proceset kanë qenë të montuara e dënimet drakonike. Dënimet ishin të tilla për dy arsye: për t’u dukur faji sa më i rëndë dhe për t’u kënaqur egoja sadiste e gjykatësit. Në këtë mënyrë ai donte të tregohet sa më luajal ndaj pushtetit politik, duke shkelur mbi ligjet dhe kodet, e mbi ndjenjën njerëzore. Dëshmitarë të proceseve më te reja të montuara gjyqësore, sic janë Sopoti, Brodeci, Monstra, Kumanova, Celula etj, jemi edhe ne gjenerata më e re e shoqërisë shqiptare. Natyrisht që nuk ndjehemi mirë. Kur këto raste, të cilat i pranojnë si të tilla avokatët mbrojtës, por u panë edhe nga përgjimet e publikuara, na shqetësojnë se ku shkon kjo Republikë? Kur këto raste ndodhin në kohën e internetit, të komunikimit masiv, të shkallës së zhvillimit shoqëror më të përparuar, me gjykatës më të kualifikuar, me prezencën më të madhe të nëpunësisë shtetërore shqiptare, po si paska qenë gjendja në të kaluarën? Tani po e kuptojmë ne se nëpër çfarë kalvari (pa)drejtësie paskan kaluar prindërit tanë. Përpjekjet për ta dëshmuar pafajësinë, gati se kanë qenë të kota.

Gjenerata ime po bëhet dëshmitare okulare e stërvuajtjeve shpirtërore të nënave të të akuzuarve dhe të dënuarve pa faj. I shohim çdo ditë qëndruar para dyerve të gjyqeve, duke u lutur për pak drejtësi për djemtë e tyre të pafajshëm, të cilët privohen nga jeta në liri. Jemi dëshmitarë të përpjekjeve të tyre për të gjetur një avokat të mirë, i cili do t’ua shpëtonte djalin, edhe pse janë të bindura që rrinë prapa hekurave pa bërë më të voglin faj. Ato përballen edhe me ofendime dhe ndalesa jo ligjore e jo humane, siç është pamundësia t’i takojnë djemtë e tyre. As loti i syve të shterur që rrjedh nëpër fytyrat e venitura, si shpresa e tyre, nuk u ndihmon dot. E, nga ana tjetër kemi ushtrinë e sehirxhinjve, duke përfshirë edhe një pjesë të mirë të faktorit politik shqiptar, të cilët bëjnë sikur nuk shohin, bëjnë sikur nuk dëgjojnë. Mbase janë të sigurt se asnjëherë nuk do të jenë personazhe të këtyre fateve. Mbase.

scroll to top