Neymar: Do të rinovoj me Barcelonën

Dy gola për t’i dhënë vazhdimësi një sezoni fantastik.
Neymar duket se ka gjetur dimensionin e tij të vërtetë me Barcelonën pasi vetëm gjatë këtij sezoni po i justifikon plotësisht milionat e derdhura nga katalanasit për ta shkëputur nga Santosi tre vjet më parë. Sulmuesi brazilian po kalon një moment të artë dhe shpreson që të vazhdojë ta mbajë të veshur edhe për shumë sezone fanellën blaugrana. “Kam biseduar me klubin për një kontratë të re sepse ky është objektivi im kryesor“, theksoi sulmuesi pas ndeshjes së fituar ndaj Real Sociedad. Marrëveshja e re mund të përmirësoje ndjeshëm pagën e lojtarit, i cili vazhdon të ketë probleme financiare për shkak të konfliktit të familjes së tij me zyrat e taksave, si në Brazil ashtu edhe në Spanjë. Një gjykatë braziliane ka ngrirë të gjitha pasuritë e familjes së lojtarit me vlerë rreth 40 milionë Euro pasi ai akuzohet për evazion fiskal me vlerë 13 milionë Euro gjatë viteve 2012-2013. Aktualisht, bashkë me dyshen Messi-Suarez, Neymar po e gjen në vazhdimësi rrugën e rrjetës dhe ai thekson se prania e tyre në sulm e ndihmon të nxjerrë më shumë në pah aftësitë e tij.
“Në rastin e golit të Messit ndaj Sociedad e pashë që kishte mundësi të shënonte dhe ia pasova topin. Ne jemi shokë dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin. Jam shumë i lumtur që luaj me Messin dhe Suarez në të njëjtën skuadër dhe besoj se edhe ata ndihen si unë. Ekipi jonë po shkon në drejtimin e duhur sepse po zhvillojmë ndeshje të një niveli shumë të lartë”.

scroll to top