Neymar pubikon pamje intime dhe mesazhe private me gruan e cila e akuzon për përdhunim

neymar-prdh.jpg

Neymari ka publikuar pamje intime dhe mesazhe private nga biseda e tij në WhatsApp me një grua, e cila po e akuzon brazilianin për përdhunim.

Mediat braziliane raportuan të shtunën se Neymari është duke u hetuar për përdhunim, pasi një grua kishte ngre padi në polici ndaj tij, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi brazilian i Paris Saint-Germain e publikoi një video në rrjetet sociale, në të cilën shpërndau mesazhe private nga biseda e tij me gruan që e akuzon, duke pohuar se ka rënë në kurthin e saj.

Neymar u akuzua nga kjo grua se pas një takimi në një hotel në Paris më 15 maj, braziliani ishte dehur dhe ishte bërë i dhunshëm, duke e sulmuar atë seksualisht.

Por, 27-vjeçari i mohon këto akuza dhe thotë se kishte shkëmbyer mesazhe me të edhe pas takimit në Paris.

“Po shpërndaj gjithçka dhe të gjithë bisedën që e kam pasur me këtë grua. Të gjitha momentet tona private”, tha Neymar.

“Është e nevojshme të tregoj për këtë dhe t’ju tregoj se asgjë nuk ka ndodhur në të vërtetë. Ajo që ndodhi ishte një marrëdhënie mes një burri dhe një gruaje brenda katër mureve, diçka që ndodh me të gjitha çiftet”, shtoi ai.

“Të nesërmen nuk pati asnjë problem. Ne i vazhduam bisedat”, theksoi ai.

Ai tha se është i trishtuar se po akuzohet për përdhunim.

“Po akuzohem për përdhunim. Kjo është fjalë e rëndë dhe diçka e fuqishme. Jam befasuar shumë nga kjo. Është shumë keq dhe trishtim ta dëgjoj këtë sepse kush ma njeh karakterin dhe dinjitetin e di se unë kurrë nuk do të bëja diçka të tillë”, këmbënguli ai.

“Ishte kurth, në të cilën rashë”, pohoi ai./Gazeta Express/

scroll to top