Neziri e Gjiknuri firmosin marrëveshjen, largpërçuesi Manastir-Elbasan fillon në vitin 2017

Shqipëria dhe Maqedonia e kanë garantuar financimin dhe tanimë brenda vitit 2017 do të fillojnë ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovoltësh Elbasan-Manastir.
Kjo linjë do mund t’i shërbejë lidhjes fizike mes Shqipërisë, Maqedonisë, por edhe më tej me vendet e rajonit.
“Këto takime zgjerojnë rrafshin e bashkëpunimit, duke u nisur në sferën e energjetikës, në burimet ripërtëritëse, efikasitetin energjetik dhe resurset e naftës. Me këtë mesazh ne përcjellim se bashkëpunimi i mirëfilltë dhe i mirë fqinjësor do të vazhdojë edhe më tutje”– tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
“Projekti është duke ecur me të njëjtin ritëm në të dyja anët e kufirit. Besoj se deri në vitin 2017 do të fillojë ndërtimi konkret i kësaj linje për t’u vënë në funksion në vitin 2018. Mjetet financiare për realizimin e këtij projekti janë siguruar nga të dy shtetet, ndaj projekti do të marrë vetëm kohën e tij për t’u kompletuar”- deklaroi ministri i Energjisë dhe Industrisë në Shqipëri, Damian Gjiknuri.
Në takim është diskutuar edhe rreth zhvillimit të politikave të mëtejshme elektro-energjetike në Maqedoni, veçanërisht sa i takon projektit të Radikës. Neziri siguroi homologun e tij se asnjë projekt nuk fillon pa u konsultuar pala shqiptare.
“Asnjë projekt, pa marrë parasysh në sferën energjetike apo në sferë tjetër, nuk do të realizohet pa pasur pëlqimin, pa u ulur, pa diskutuar me kolegët tanë në Republikën e Shqipërisë dhe projekte të tilla nuk do të realizohen pa pasur konsensus mes dy shteteve”– tha ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
“U informova se asgjë të re nuk ka në këtë drejtim dhe që çdo ide që mund të zhvillohet në këtë projekt do të kërkojë bashkëbisedimin dhe miratimin e qeverisë shqiptare. Vendet nuk ndjekin politika unilaterale për ujëra të përbashkëta”- u shpreh ministri i Energjisë dhe Industrisë në Shqipëri, Damian Gjiknuri.
Mes dy ministrave u diskutua edhe në lidhje me hapësirat e bashkëpunimit të mundshëm edhe në kuadër të projektit të korridorit jugor të gazit.
scroll to top