Neziri: Në Ministrinë e Ekonomisë 43 për qind e të punësuarve shqiptarë

Një delegacion qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi, zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve Nimetulla Halimi dhe deputetët Artan Grubi dhe Vjollca M. Nuredini sot realizuan vizitë pune në Ministrinë e Ekonomisë, ku u njoftuan me mbarëvajtjen e projekteve kapitale që janë realizuar në këtë Ministri dhe ato që janë në realizim e sipër.

Para përfaqësuesve të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, ministri Neziri informoi të arriturat që janë realizuar gjatë periudhës kur ai drejton këtë institucion.

Ministri Bekim Neziri njoftoi delegacionin se përfaqësimi i shqiptarëve në Ministrinë e Ekonomsië është 43 për qind, krahas 48 për qind të punëtorëve maqedonas, 3 për qind të përkatësisë turke dhe me nga 1 për qind të të punësuar rom dhe vllehë.

“Dëshiroj t’ju informoj se nga 63 koncesione të burimeve minerale, 18 kompani janë shqiptare ndërsa invesimi i tyre arrin 7.3 milionë euro dhe gjithsej kanë punësuar 194 punëtorë, në segmentin e energjetikës si më i rëndësishmi në Ministri, dua të theksoj tre projektet më me rëndësi që kemi arritur t’i bëjmë janë traektojrja e gasifikimit Shkup-Tetovë-Gostivar që planifikohet të ndërtohet në periudhën 2016-2018, një investim prej 48 milionë eurosh të siguruara, gazifikimi i Qytetit të Shkupit prej mbi 100 milionë euro, pastaj realizimi i projektit Ura e Boshkos në Dibër një investim prej 107 milionë euro, largpërçuesi 400 kW mes Manastirit dhe Elbasanit, i cili do të mundëson ndërlidhjen e sistemeve tona, hapjen e tregjeve të reja të energjisë, të enjten do të nënshkruajmë edhe kredinë për ndërtimin e saj prej 49 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Gjatë kësaj periudhe janë ndërtuar 23 hidrocentrale të vogla me vlerë prej 51 milionë euro, projekte të realizuara nga Likova e deri në Strugë, të gjitha në komuna shqiptare, 23 nga 61 të ngritura në gjithë territorin e vendit”, theksoi ministri Neziri.

Ai mëtej shtoi se një sukses i madh është arritur edhe në ndërtimin e zonave të lira ekonomike, ku nga 13 të tilla 4 janë në komunat shqiptare.

“Tre zonat veçmë funksionojnë, ajo në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë, ndërsa ashtu siç premtuam para 8 muajve kur vizituam Likovën, më datën 1 dhjetor arritëm që me vendim qeverie të hapet edhe zona e lirë ekonomike në Likovë, me çka kemi 4 zona në ambiente shqiptare”, tha Neziri.

Udhëheqësi i delegacionit qeveritar, zëvendëskryeministri Fatmir Besimi u nda i kënaqur nga ajo që u prezantua në këtë takim.

“Patëm rastin të dëgjojmë për projektet e realizuara në Ministrinë e Ekonomisë, këto projekte do të ndikojnë drejtpëdrejtë në standardin jetësor të qytetarëve, siç është gazifikimi por edhe në aspektin e cilësisë konkurruese të kompanive. Investimet që janë bërë në sferat e mineraleve, energjetikës dhe turizmit do të ndikojnë edhe në rritjen e shkallës së punësimit, pra hapin vende të reja të punës, dhe që është më e rëndësishmja të gjitha këto investime paraqesin një zhvillim të balancuar mes rajoneve në vend dhe do të ndikojnë në rritjen ekonomike që do ta ndjejnë të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Gjithashtu diksutuam edhe për investimet e bëra me asisitencë të Bashkimit Evropian, që janë përkrahje e fuqishme për ne”, tha zëvendëskryeministri Besimi.

Në takim të pranishëm ishin edhe drejtorët në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë, ai i Inspektoratit shtetëror teknik Ekrem Bunjaku dhe numri dy i Drejtorisë së zonave të lira ekonomike Asip Useini.

scroll to top