Niveli i ndotjes së ajrit 12 herë mbi të lejuarën

Në më shumë qytete të Maqedonisë ndotja e ajrit është dhjetëra herë mbi të lejuarën. Në Tetovë dhe Manastir grimcat PM 10 janë 12 herë mbi nivelin e lejuar. Pas këtyre dy qyteteve më i ndoturi radhitet Shkupi, ndërsa niveli i grimcave PM 10, 5 herë mbi të lejuarën është regjistruar në Kërçovë. Ndotja enorme e ajrit ka shkaktuar përplasje midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Opozita ka kërkuar nga Qeveria ndërmarrjen e masave urgjente për uljen e ndotjes.

Partia në pushtet arsyetohet se masat e ndërmarra kanë qenë të shumta, gjë që sipas VMRO-së nuk e ka bërë opozita e tanishme kur ka qenë në pushtet. Ndërsa partitë akuzohen mes vete kush ka ndërmarrë e kush jo masa, në Shërbimin e ndihmës urgjente mjekësore në 24 orët e fundit ndihmë kanë kërkuar mbi 100 persona. Sipas mjekut Gjeorgji Karamanovski numri më i madh i atyre që kanë kërkuar ndihmë janë të sëmurë kronik, me sëmundje kardiovaskulare dhe pacientët me probleme në frymëmarrje.

“Këto ditë numri më i madh i pacientëve janë me sëmundjen e astmës, për shkak të ndotjes. Rekomandimi është që t’i marrin rregullisht ilaçet, mos të dalin në hapësira publike herët në mëngjes pa pasur nevojë, atëherë kur ndotja është më e madhe”, tha Gjeorgji Karamanovski, mjek kujdestar në ndihmën e shpejtë.

Karamanovski apelon që më shpesh të ajrosen hapësirat, të konsumohet ushqim i pasur me vitamina, më shumë lëngje. Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se gjatë tërë javës do të ketë mjegull në disa pjesë të vendit, ndërsa më e theksuar do të jetë nëpër lugina.

“Gjatë javës së ardhshme edhe më tej do të ketë ditë të ngrohta, me temperatura të larta për këtë kohë të vitit, por në orët e mëngjesit do të ketë kushte për mjegull. Pritet të ketë vranësira kah mesi i javës, por do të jetë gjendje e qëndrueshme dhe e thatë”, u shpreh Boris Sekirarski, sinoptikan.

Banka Botërore renditi Maqedoninë në vendin e pestë sipas rasteve të vdekjes nga ajri i ndotur. Tetova është në vendin e parë, ndërsa Shkupi këtë vit është në vendin e tretë në Evropë me indeks shumë të lartë të ndotjes. Qyteti më i ndotur në Evropë sipas statistikave është qyteti italian Neapol, ndërsa Kievi është në vendin e dytë.

scroll to top