Një aktivist për Sidën

Njerëzit në mbarë botën po zhvillojnë aktivitete, po testohen dhe promovojnë ndërgjegjësimin për Sidën në Ditën Botërore të sëmundjes. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson, mosinformimi dhe stigma ende pengojnë luftën ndaj epidemisë.

Më shumë se 35 milion njerëz në mbarë botën kanë virusin Hiv që shkakton Sidën. Sida është e trajtueshme dhe e parandalueshme.

Me ilaçet dhe kujdesin e duhur shëndetësor, njerëzit me virusin Hiv mund të bëjnë një jetë normale.

Në nëntor, aktori Charlie Sheen njoftoi se është i prekur nga virusi.

Rodney McCoy është aktivist për Sidën me Nova Salud, një organizatë që jep këshilla dhe shërbime edukimi për virusin në rrethinat e Uashingtonit.  Reagimi i tij ndaj intervistës së Charlie Sheen? – Pozitiv.

“Ajo që më pëlqeu ishte çiltërsia dhe sinqeriteti i tij”.

“Jam në një industri ku nuk është problem dhe bile ke përfitime të jetosh me virusin Hiv. Shumë nga njerëzve nuk e kanë këtë luks,” thotë aktivisti McCoy.

Sheen njoftoi gjendjen e tij pasi po i bëhej shantazh nga një grua që mori foto të ilaçeve të tij dhe kërcënoi t’i shiste.

“Mendoj se çështja këtu është stigma. Fakti që atij i bëhej shantazh të tregon se të flasësh për virusin Hiv nuk është e lehtë,” thotë McCoy.

Në një letër, Sheen përshkruan turpin që ndjeu kur u diagnostikua.

“Ka shumë njerëz dhe këtu përfshij edhe veten, që kur diagnostikohen, gjëja e parë që u duhet të përballojnë është turpi, si do t’u thuash njerëzve? A do t’u thuash njerëzve? Si do t’u thuash?,” thotë aktivisti McCoy.

Ai thotë gjithashtu se është e vështirë të kapërdish fjalën me tre shkronja.

“Më ra si bombë. U diagnostikova 14 vjet më parë. Të dëgjosh fjalët ‘ke virusin HIV’. Po po. Ajo fjalë dhe çdo gjë që lidhet me të është vështirë të kapërdihet,” tregon aktivisti McCoy.

“Të tjerë vijnë dhe thonë, ‘faleminderit Charlie. Faleminderit që fillove diskutimin,'” thotë aktori Sheen.

“Mendimi im i parë ishte amator. Je një qënie tjetër. Je i ri në lojë. Por në të njëjtën kohë, kuptova se Charlie përfaqëson një komunitet që ne nuk e lidhim me virusin Hiv. Pra si një heteroseksual i bardhë me para, ai do të arrij tek njerëz, që unë si afrikano-amerikan homoseksual nuk mundem”.

Nuk mund të thuash se kush ka virusin Hiv, dhe shumë nga ata që e kanë nuk e dinë. Në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët e shëndetësisë, llogarisin se më shumë se 10 përqind e të infektuarve me virusin Hiv nuk e dinë që e kanë atë.

scroll to top