Një firmë kineze do të investojë në Zonën e Lirë Ekonomike të Tetovës

Interesim në rritje për Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë: Një firmë nga Kina duket se e joshur nga kushtet që ofrohen këtu ka vendosur që të ngre kapacitetet e veta nga fusha e informatikës. Për këtë madje janë përzgjedhur edhe kuadrot e para.

Pjesë e investimeve në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë duket se do të bëhen edhe investitorët nga Kina. Në mjediset e saj ka qëndruar sot një delegacion i kompanisë Openbiz Technology nga sfera e informatikës, respektivisht zhvillimit dhe programimit të rrjeteve. Kreu i kësaj firme thotë se madje kanë bërë edhe përzgjedhjen e grupit të parë të të punësuarëve.

“Mendoj se ka disa arsye: njëra është se taksat janë shumë të ulta, arsyeja e dytë është se personat që i takova këtu janë shumë kreativ dhe shumë të zgjuar dhe më pëlqen të punoj me njerëz evropianë.Para tre muajsh u përzgjodhën tetë persona të cilët i morëm në Shangai në Kinë për trajnim. Janë shumë inteligjentë, janë shumë të mirë.” – deklaron Jixian Wang – Drejtori i Kompanisë Openbiz Technology.

Edhe drejtori i Zonës së Lirë Ekonomike në Tetovë, Arben Halili pret që së shpejti kompania kineze t’i përfundojë procedurat ligjore që kërkohen në mënyrë që sa më parë të nis punën.

Kur është fjala për Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë, kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një takim me Kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Mbrojtje të Parlamentit të Norvegjisë, Anniken Huitfledt, ka shprehur mirēnjohje për kompanitë shtetërore norvegjeze që menaxhojnë këtë zone duke bërë të ditur se ndërkohë janë siguruar katër investime të huaja që do të hapin mijëra vende pune. Parashikohet që Zona e Lirë Ekonomike në Tetovë të inaugurohet gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm.

scroll to top