“O pi** motre pse sheh!” Dëshmitari okular tregon sesi ndodhi masakra në ish bllok

Është zbardhur dëshmia e biznesmenit 45-vjeçar Ajaks Boshnjaku i vetëdorzuar të dielën në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Boshnjaku ka thënë se nuk e dinte që është shpallur në kërkim nga policia për vrasjen e ndodhur më 4 tetor në zonën e ish-Bllokut dhe sapo e ka mësuar ka vendosur të vetëdorezohet.

 

Gjykata e Tiranës ka vendosur ndaj Boshnjakut masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa në dëshminë e tij, ai ka thënë se nuk ka dijeni për motivet apo rrethanat e vrasjes.  Në dëshminë e tij të siguruar nga News24, 45-vjeçari ka thënë se gjithçka ka nisur pas një sharje që i është bërë Mevjol Bilos nga viktima Fabian Gaxha.

 

“Mbrëmjen e 4 tetorit më telefonoi Redi Popesku për një gotë verë në lokalin e tij. Shkova me motor te lokali i Popeskut. Pasi kam mbërritur tek lokali kam takuar Redi Popeskun, Ervin Matën, Mevjol Bilon, Tan Allushin, Geldon dhe një person që sapo po dilte dhe quhet Ardi Baku.  Pasi kam hyrë në ambientet e brendshme të lokalit jam përshëndetur me të gjithë dhe kemi nisur të pimë nga një gotë verë. Unë jam ulur tek tavolina e dytë në fillim në anën e majtë, përballë kam pasur shtetasin Mervjol Bilo. Teksa po bënim muhabet mes miqsh në këtë moment kanë ardhur 3-4 persona të cilët i shoqëronte Redi Popesku dhe ndërkohë është ngritur Ervin Mata dhe i ka takuar normalisht dhe janë ulur në ambientet e banakut. Pasi janë ulur njëri prej personave (siç më rezulton mua personi që u vra) i është drejtuar shtetasit Mevjol Bilo duke i thënë “o pi… motre pse shikon”, ndërsa Mevjol Bilo nuk ka folur fare.

 

Ndërkohë ky personi me pistoletë në dorë është drejtuar tek Mevjol Bilo duke i vënë pistoletën në kokë dhe me dorën tjetër e godiste me grushta në kokë dhe në fytyrë. Ne të gjithë që ishim prezent nuk arritëm të lëviznim pasi personi ishte me armë në dorë dhe thërriste që të mos lëviznim. Në këtë kohë Ervin Mata ka thirrur “Mos çfarë po bën”, por personat filluan të godisnin më pas me grushte edhe Ervin Matën. Në goditje e sipër kam parë të rrezohet në tokë shtetasi Mevjol Bilo. Nuk arrita ta dalloj nga erdhi e shtëna me armë. Në këtë kohë kam ikur me vrap drejt derës për t’u larguar. Nuk e di më pas si vazhdoi konflikti në lokal. Kam marrë motorin dhe jam larguar në banesën time”- ka thënë Boshnjaku në dëshminë e tij.

 

Mbrëmjen e 4 tetorit pas një konflikti me armë në një lokal në Bllok mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Elion Hate. Në kërkim për këtë ngjarje janë shpallur Meviol Bilo, Ervin Mata dhe Fabiol Alushi.

scroll to top