OH HILAL ndihmon refugjatët në kampin e Tabanocit

Dje, Organizata Humanitare HILAL e cila funksionon në kuadër të BFI në RM, pas inspektimit të terrenit ku po grumbullohen refugjatët si në pikën hyrëse, në Gjevgjeli, ashu edhe në pikën dalëse në Tabanoc, dhe pas konstatimit se gjendja e tyre është mjaft e rëndë dhe aspak humane, realizoi një aksion të radhës me ç’rast shpërndau ndihma në artikujt ushqimorë dhe në veshmbathje.

Ndihma prej 9 tonëve ishte e donuar nga myslimanët e Strugës pas apelit të Myftinisë së këtij qyteti për ndihmë refugjatëve sirianë dhe të tjerëve. Me këtë rast, pas shpërndarjes së kësaj ndihme, kryetari i OH HILAL, Mustafa ef. Dauti, shprehu falënderime të posaçme për Myftiun e Strugës, Salim ef. Sulejmanin, i cili me t’u alarmuar për gjendjen e rëndë të refugjatëve në pikën e Tabanocit, në afat rekord ka organizuar dhe grumbulluar sasi të konsiderueshme të ndihmave të ofruar nga myslimanët e kësaj Myftinie.

“Refugjatët që po kalojnë nëpër territorin e Maqedonisë, po përballen me sfida golgotiane dhe aspak humane. Ne, shoqatat humanitare, pra edhe ne si OH Hilal, po bëjmë çmos që t’ju dalim në ndihmë dhe, sado pak, t’ua zbusim dhembjen e ikjes zhveshur e zbathur nga vendlindja dhe atdheu i tyre.

Falë shpirtit human tashmë katërcipërisht të dëshmuar të Reisul Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepi, me sukses po ia arrijmë që të organizohemi nëpër organet e BFI-së dhe të grumbullojmë ndihma e të jemi të gatshëm për të reaguar në çfarëdo situate të rëndë humanitare.

Jemi në prag të një katastrofe humanitare ndaj dhe apeli ynë si OH është që të gjithë myslimanët e vendit t’ju përgjigjen aksioneve që po i ndërmarrin myftinitë tona në grumbullimin e donacioneve të ndryshme humanitare. Dua që, myftiut të Strugës, Salim ef. Sulejmanit, t’ia shpreh falënderimet e mia por edhe të të gjithë atyre refugjatëve që dje sado pak iu gëzuan ndihmës që na erdhi si donacion nga myslimanët që i mbulon Myftinia e Strugës”, tha, veç tjerash, kryetari i OH HILAL, Mustafa ef. Dauti.

scroll to top