Opozita fajëson për korrupsion në ARM, Pushteti: të mos shpifet profesionalizmi i ARM-së

Ministri i Mbrojtjes Zoran Jolevski informoi se Maqedonia do të dërgojë 38 oficerë në misionin në Afganistan. Pas informacionit, diskutim hapi edhe kryetari i PLD-së Goran Milevski, duke akuzuar për shantazh në armatë. Milevski tha se ushtarët që duan të shkojnë në mision, një të tretën e shumës që e fitojnë në Afganistan duhet t’ua japin disa personave udhëheqës.

„I nderuari ministër, ushtarët profesionistë ankohen se në qoftë se duan të marrin pjesë në mision paqëruajtës, duhet të paguajnë prej 4.000 deri në 6.000 euro. Nuk është e drejtë që të arsyetoheni nën pretekstin “nuk kam parë dhe nuk kam dëgjuar asgjë”. Një ushtar merr pagë mujore prej 3200 eurosh, për 6 muaj ai do të fitojë 19,000 euro. Është për të ardhur keq që këtyre ushtarëve të cilët e vënë jetën e tyre në rrezik, t’u kërkohet ryshfet prej 1/3 të rrogës së tyre”, tha Milevski.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së e kundërshtuan Milevskin dhe thanë se ai po shpif. Ata kërkuan prej tij që të kërkojë falje publike nga foltorja e parlamentit, sepse sipas tyre, po bëhet njollosja e profesionalitetit të Armatës. „Publiku në Maqedoni është dëshmitar i devalvimit të vazhdueshëm nga opozita të çdo gjëje që ekziston në Maqedoni, gazetarëve, policisë, puntorëve të shëndetësisë, studentëve, personaliteteve të historisë maqedonase, kurse tani ishim dëshmitarë të devalvimit më të ulët të pjesëtarëve të Armatës”, tha deputeti Stevananxhija.

Goran Sugarevski i bëri vërejtje ministrit se deputetët deri më tani nuk kanë marrë raporte për atë se kush dërgohet nëpër misione dhe sa para harxhohen për këtë. Ministri Jolevski u përgjigj se atij nuk i është drejtuar asnjë kërkesë për emrat e oficerëve që dërgohen në mision.

Talat Xhaferi nga rradhët e BDI-së tha se vepra të këtilla të paligjshme, nëse ka, të zbardhen në mënyrë institucionale.„Përgjegjësinë e bartin edhe ata që japin dhe që marrin ryshfet. Besoj se kjo tabu temë duhet të zgjidhet nëpërmjet institucioneve shtetërore dhe të jepet përgjegjësi para opinionit. Në rast se edhe Ministri i mëparshëm i Mbrojtjes ka gisht në korrupsion, poashtu edhe ai duhet të japë llogari”, theksoi Xhaferi.

Në këtë debat ndërhyri kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, i cili tha se për herë të parë ndodh që dikush të flasë në këtë mënyrë për pjesëtarët e ARM-së. Ai më tej shtoi se deputetët mund të kërkojnë listën e ushtarëve të dërguar jashtë vendit të cilën listë Ministria do t’ia parashtrojë Komisioni përkatës të Kuvendit.

scroll to top