Opozita sot proteston në Gjilan

Partitë opozitare sot do të mbajnë një manifestim në Gjilan me të cilin kundërshtohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje këto të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës.
Ky manifestim organizohet pas dy manifestimeve paraprake në Prishtinë dhe në Gjakovë. Ai i Prishtinës ishte më 28 nëntor, pas të cilit edhe u arrestua Albin Kurti, kurse ai i Gjakovës ishte më 5 nëntor, transmeton Koha.net.

Opozita ka paralajmëruar se do të organizojë manifestime të tilla në disa qytete të vendit. E se sa është numri i manifestimeve që do të vijojnë, nuk është bërë i ditur ende.
“Qytetarët e Gjilanit dhe Anamoravës vazhdimisht i kanë kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme për Republikën e Kosovës.

Kjo pjesë e Kosovës, është prekur më së shumti nga decentralizimi etnik, për të cilin na thoshin se është kompromisi i dhimbshëm i fundit, e që doli të jetë veç kaparja për ‘Zajednicën’. Po ashtu, banorët e kësaj pjesë i kanë parë për së afërmi gabimet e Qeverisë së Kosovës në demarkacionin me Maqedoninë. Prandaj, qytetarët e Anamoravës nuk do të lejojnë që të shumëfishohen këto dëme, as përmes ‘Zajednicës’, e as përmes demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në një njoftim për media lëshuar një ditë më herët nga partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.

Manifestimi i opozitës fillon në orën 13:00.

scroll to top