BotaLajme

Orbani i Hungarisë del kundër 7 fuqive botërore: Plani juaj është absurd

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e ka kritikuar planin e propozuar për shkallën minimale të taksave ndaj korporatave, duke thënë se një gjë e tillë është absurde dhe duke paralajmëruar se qeveria e tij mund të shqyrtojë plane emergjente, nëse koncepti i paraqitur nga fuqitë botërore zbatohet.

Ministrat e jashtëm të vendeve të Grupit G7 më 5 qershor u zotuan për vendosjen e një takse minimale ndaj korporatave prej së paku 15 për qind. Plani u përkrah edhe nga Shtetet e Bashkuara. Grupi G7 përbëhet nga vendet më të zhvilluara: Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Japonia, Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Kanadaja. Rusia ka qenë anëtare më herët, por është pezulluar për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina.


Plani i shteteve më të zhvilluara ka për qëllim që t’i ngarkojë me taksa korporatat që kanë seli në shumë shtete, sidomos gjigantët e teknologjisë si “Google”, “Facebook” dhe “Amazon”, në mënyrë që këto kompani të kontribuojnë më shumë në buxhetet shtetërore të goditura nga pandemia.

Shtatë anëtaret e Grupit G7 po shpresojnë që të arrijnë marrëveshje përfundimtare për këtë çështje gjatë një takimi të muajit të ardhshëm të ministrave të financave të Grupit G20, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.


Kryeministri hungarez tha se e kundërshton këtë plan, sepse, sipas tij, ai është në kundërshtim me përpjekjet për tërheqjen e investimeve të huaja përmes taksave të ulëta. Hungaria ka taksë vetëm 9 për qind për korporata. Kjo është shifra më e ulët në Bashkimin Evropian.

“E cilësoj absurde që cilado organizatë botërore të ketë të drejtë të thotë se çfarë taksa mund të vendosë Hungaria e çfarë taksa jo”, tha lideri hungarez, i njohur për përplasjet edhe me Bashkimin Evropian.

Budapesti ka përfituar nga niveli i ulët i kësaj takse, duke tërhequr investime të mëdha në sektorin e prodhimtarisë dhe duke shtuar punësimin e rritjen ekonomike. Këto zhvillime ia kanë mundësuar qeverisë djathtiste të Orbanit që të mbetet në pushtet për më shumë se një dekadë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button