Pas rezultateve tejet të dobëta, Real Madridi vendos për Santiago Solarin

Humbja ndaj Real Sociedadit në shtëpi në La Liga, i ka bërë drejtuesit e Real Madridit të mendojnë seriozisht për të ardhmen e trajnerit Santiago Solarit.

Solari do të mbetet në krye të skuadrës deri më 30 qershor, përvec nëse bën ndonjë sensacion të paparë deri në fund të sezonit, transmeton Gazeta Express.

Gazetari i njohur i sportit në Spanjë, Paco Gonzalez tha në programin “El Partidazo de Cope” se Real Madridi e ka në plan ta mbajë Solarin vetëm deri në fund të këtij sezoni, përkundër se ai nënshkroi kontratë me klubin deri më 2021.

Solari e mori drejtimin e “Los Blancos” në tetor të vitit të kaluar pas shkarkimit të Julen Lopeteguit, ndërsa më vonë nënshkroi kontratë me klubin me kohëzgjatje deri në qershor 2021.

Megjithatë, sipas Gonzalez vendimi i Real Madridit për ta larguar argjentinasin në verë është i prerë dhe vetëm një ndryshim i jashtëzakonshëm mund t’ua ndërrojë mendjen drejtuesve të Madridit.

Pas gjashtë humbjeve deri tani këtë sezon, Real Madridi ngel 10 pikë prapa liderit dhe rivalit, Barcelonës në La Liga. /Gazeta Express/

scroll to top