Përdhunoi rumunen, 11 vjet burg shqiptarit

Një shqiptar në Britani është dënuar me 11 vjet burg pasi ka përdhunuar vazhdimisht një punonjësen e tij kur ajo ishte 17 vjeçe.

Kujtim Rexha, 43 vjeç, i cili jeton në Braintree ka përdhunuar vajzën në mars të vitit të kaluar. E reja jetonte në Little Bentley bashkë me tre meshkuj të tjerë nga Rumania, që punonin në lavazhin e shqiptarit.

Rumunia, e cila tani është 18 vjeçe, thotë se kur ka mbërritur në Britani i është kërkuar të flejë në një krevat me të akuzuarin. E reja punonte shtatë ditë në javë nga 12 orë, duke u paguar 10 deri në 30 paund në ditë, përfshirë 50 paund për qiranë dhe 50 paund për naftën, pasi e dërgonte çdo ditë në punë.

Të gjitha bakshishet që siguronte rumunia i merreshin nga Rexha. Shqiptari ka mohuar akuzat për tri përdhunime dhe dy herë dhunë seksuale mes datës 1 mars dhe 16 maj. Vajza tha në prokurori se ishte e dashuruar me të, ndërsa përgjigja e shqiptarit ishte: “Sot me do mua, nesër të tjerët”.

Prokurori deklaroi në fakt se 43-vjeçari Rexha e detyronte të renë të kryente seks me të, duke e kërcënuar me armë të ftohtë. Rexha i ka thënë vajzës se duhet të punonte për t’i kthyer 240 paundët që kishte shpenzuar për ta sjellë atë në Britani, nga Nottingham-i. 43-vjeçari shqiptar jeton bashkë me gruan dhe fëmijët në Braintree.

scroll to top