Përfundon protesta e PD’së

Ka përfunduar protesta e opozitës.
Një numër më i vogël njerëzish në krahasim me protestën e parë u mblodhën përpara selisë së Kuvendit.

I pari që mori fjalën në protestë ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili tha: “25 vite më parë, jo shumë larg nga këtu, studentët dhe qytetarët u mblodhën bashkë dhe i dolën përballë regjimit më të egër që kishte njohur ndonjëherë ky vend. Sot, 25 vite më vonë, jemi prapë në këmbë, në protestë, sepse nuk mund të pranojmë një tjetër regjim po aq i padrejtë, po aq represiv”.

Ndërkohë, deputeti Genc Pollo theksoi se “kjo qeveri duhet të iki jo për politikanët e tjerë që t’i zënë vendin, por për njerëzit që jetojnë këtu”.

“Qeveria për dy vjet e ka bërë gjendjen e padurueshme. Qeveria Rama-Meta nuk ka bërë asgjë të mirë, vetëm të këqia. Sot, për shkak të buxhetit të Ramës dhe Metës dhe grabitjeve të tyre, popullit i ka shkuar aty ku nuk mban më. Nuk duam më qelbësira në qeveri dhe në parlament që votojnë ligjet e burgut. Po miratohet një buxhet pa rritje rrogash, pensionesh apo ndihmë sociale, por vetëm taksa”.

Nga ana e tij, Arben Ristani tha se nuk ka më vend për opozitë konstruktive, por për protesta: “Po miratojnë buxhetin që nuk do të rrisë rroga e pensione. Ndërkohë që populli varfërohet çdo ditë, këta vjedhin 400 milionë euro nga doganat. Kemi bërë opozitë konstruktive duke dhënë alternativa e duke kritikuar, por nuk vlejnë më kritikat, vetëm protestat.

Deputetja Jozefina Topalli u shpreh se “në Parlament kërkohet të votohet buxheti i kolapsit dhe falimentimit”. Sipas saj, të rinjtë nuk po shohin më asnjë perspektivë në këtë vend.
“Mesazhi i vetëm ndaj kryeministrit është “Edi Rama, ik!” Në Parlament kërkohet të votohet buxheti i kolapsit dhe falimentimit. ADN-ja ime është protesta, por unë e di që shqiptarët kanë të injektuar frymën e rebelimit kur i shtypin. Ne duhet të jemi të gjithë bashkë për të protestuar kundër një klike që kërkon të zbrasë vendin. Kanë ikur 100 mijë shqiptarë për një vit e gjysmë. Të rinjtë nuk shohin perspektivë në këtë vend, janë humbur 73 mijë vende pune”, deklaroi Jozefina Topalli.

Kurse kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu drejtuar protestuesve përpara Parlamentit, theksoi se opozita do të vazhdojë me protestat paqësore deri në largimin e qeverisë.

“Në këto dy vite, ekonomia tregoi se ranë investimet e kreditimi dhe u rrit varfëria, papunësia dhe lindi mjerimi. Rama është kryeministri më i pasur i popullit më të varfër. Korrupsion, trafik dhe drogë në këtë qeveri e askush nuk përgjigjet para ligjit. Rama e tregon popullin si hajdut, kur vetë ka thyer çdo rekord hajdutërie. Kush e pranon zëheshtur një qeveri që toleron vjedhjen, kush toleron një qeveri me ministër kryetrafikant, nuk është naiv apo i paditur, por është bashkëfajtor”, tha Basha.

Më tej, kreu i opozitës nënvizoi se është “pro protestave paqësore deri në largimin e qeverisë” para se të falenderonte edhe Policinë e Shtetit.

“E dimë që edhe ju jeni me ne. Jeni me ligjin dhe jo me shtetin e të padrejtës. Jeni me popullin dhe jo me Edi Ramën”, tha Basha.

“U bëj thirrje të gjithëve që të tregojmë qytetari, të tregojmë se jemi ndryshe nga ata, duke mos i prekur asnjë fije floku policisë sonë. Të vendosur që me forcën e mosbindjes të qëndrojmë të pamposhtur derisa të largojmë qeverinë e rrënimit ekonomik dhe korrupsionit”, shtoi kreu i PD-së.

Në fund të fjalës së tij, teksa largohej, Basha përshëndeti edhe policët, ndërkohë që nga turma pati një moment tensioni.

Ata e shtynë edhe kreun e PD, por ai përsëriti se kjo është një protestë paqësore.
Pasi hodhën edhe disa tymuese, protestuesit nisën të shpërndahen paqësisht.

scroll to top