Përse meshkujt dalin më shpejt se femrat nga një labirint

Që meshkujt orientohen më mirë se femrat, shkenca e ka demonstruar prej shumë kohësh. Por tashmë, për herë të parë, disa shkencëtarë norvegjezë këtë aftësi e lidhin me hormonet seksuale. Është verifikuar se seksi xhentil orientohet më keq brenda një labirinti.

Studiuesit e Universitetit Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë, kur u shtuan pak testosterone femrave, vunë re se performanca e tyre përmirësohej. Duke përdorur rezonancën magnetike funksionale (fMri), grupi i studiuesve pa se meshkujt i përdornin më shumë pikat kryesore dhe ato të ndryshme të trurit sesa femrat.

“Sensi i orientimit të meshkujve është më efikas. Ata thjesht arrijnë të kapin më shpejt qëllimin”, shpjegon Carl Pintzka, një ndër autorët e studimit. Ndryshojnë edhe pjesët e trurit të përdorura: meshkujt kanë tendencë të shfrytëzojnë më shumë hipokampusin (zonë e vogël më në brendësi të trurit), ndërsa femrat zonën ballore.

“Kjo është në sintoni me faktin se hipokampusi shërben për pikat thelbësore”, thotë eksperti, i cili më pas shpjegon rezultatet në termat evolucionistë.

“Në antikitet, meshkujt ishin gjuetarë dhe femrat mbledhëse frutash. Ndaj, edhe trutë tanë ndoshta kanë evoluar në mënyrë të ndryshme. Për shembull, kërkime të tjera kanë dokumentuar faktin se femrat arrijnë ta gjejnë më mirë vendndodhjen e objekteve sesa meshkujt. E thënë më thjeshtë, femrat janë më të shpejta për të gjetur gjërat nëpër shtëpi, ndërsa meshkujt arrijnë të gjejnë më mirë shtëpinë.”

Një eksperiment në konfirmim të zbulimit

Shkencëtarët kanë pajisur me syze të veçanta dhe leva loje, rreth 18 meshkuj dhe shumë femra, duke u dhënë atyre një seri detyrash brenda një labirinti virtual (për shembull, të gjejnë një makinë të verdhë, duke u nisur nga pika të ndryshme). Pjesëmarrësit kishin 30 sekonda kohë për të çuar në fund detyrat, ndërkohë që imazhet e trurit të tyre të vënë në punë, regjistroheshin nga rezonanca magnetike. Meshkujt realizuan më shumë se 50% të detyrave në krahasim me femrat dhe dy gjinitë shfaqën strategji të ndryshme orientimi.

Meshkujt përdorin në masë më të madhe pikat thelbësore që, sipas studimit, janë më të efektshme, për shkak se janë më fleksibël dhe më pak të varura nga pika e nisjes.

“Për shembull, për të arritur një ndërtesë, meshkujt drejtohen përgjithësisht drejt vendndodhjes ku gjendet. Ndërsa femrat, nga ana tjetër, kanë tendencë të orientohen nëpërmjet rrugës, për shembull: drejt, kalon parukerin dhe më pas djathtas pas dyqanit”, konfirmon Pintzka.

Pjesa e dytë e studimit ka përfshirë 42 femra (të ndryshme nga ato të grupit të parë), duke i injektuar gjysmës së tyre pak testosterone nën gjuhë, ndërsa të tjerave një qetësues të padëmshëm.

Më pas, shkencëtarët u kanë dhënë atyre syze të posaçme dhe leva (për labirintet virtuale), si dhe një listë prej 45 kalimesh, të gjitha për t’i arritur deri në fund.

“Shpresonim se do të ishin në gjendje të zgjidhnin më shumë detyra, por nuk ishte kështu. Megjithatë, është përmirësuar njohja e strukturës së labirintit, ndërsa kanë përdorur më shumë hipokampusin”, tregon Pintzka.

“Humbja e sensit të orientimit, është edhe një nga simptomat e para të Alzheimerit”, theksojnë ekspertët.

“Thuajse të gjitha sëmundjet e lidhura me trurin janë të ndryshme te meshkujt dhe te femrat, si në numrin e individëve të prekur, ashtu edhe në ashpërsi. Ndoshta ka diçka që mbron ose kërcënon personat e një seksi. Sepse e dimë që femrat me diagnozën e Alzheimerit, janë dyfish në krahasim me meshkujt. Mund të jetë diçka e dëmshme që lidhet me hormonet seksuale”, konfirmon specialistja.

Shpresa është se, zbulimi se si meshkujt dhe femrat përdorin zona të ndryshme cerebrale dhe strategji të ndryshme për t’u zhvendosur në hapësirë, u lejon studiuesve të përmirësojnë kuptueshmërinë e zhvillimit të sëmundjes dhe të gjejnë strategji mbrojtjeje për personat tashmë të prekur.

scroll to top