Policët e Kosovës në Veri refuzojnë të bartin uniformën me flamur të Kosovës

Pjesëtarët e Njësitit për Reagim të Shpejtë (NJRSH) në kuadër të Policisë së Kosovës në veri të vendit, kanë qenë të privilegjuarit e parë që do ta veshin uniformën e re të Policisë së Kosovës. Dizajni i ri i uniformës së Policisë është krejtësisht ndryshe nga ato të vjetrat, dhe përmban stemën e Republikës së Kosovës në kraharor.

Mirëpo, edhe pse këto uniforma të reja janë dorëzuar nga Prishtina para më shumë se një jave në Drejtorinë e Policisë së Kosovës në veri, ato akoma askush nuk i bartë.

Burime të KosovaPress-it nga stacioni i Policisë në Zveqan, bëjnë të ditur se vendimi i prerë për mos bartjen e këtyre uniformave me simbole të Republikës së Kosovës është marrë në Kralevë të Serbisë, ku është edhe baza paralele e MPB-së për qarkun e veriut të Mitrovicës.

“Askush nga policët serbë nuk guxon të pajiset me uniforma që përmbajnë simbole të shtetit të Kosovës pa lejen tonë deri në një vendim të ardhshëm, ndërsa ne po shqyrtojmë format dhe mundësitë tjera për një gjë të tillë”, është urdhër nga Kraleva drejtuar krerëve të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut që është dhënë përmes telefonit para disa ditësh, kanë thënë burimet.

Sipas këtyre burimeve, është e mundur që këto uniforma të reja të aplikohen ditët në vijim, por vetëm pas heqjes së simboleve të Republikës së Kosovës.

I kontaktuar nga KosovaPress, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani, ka thënë se nuk ka informacion në lidhje me këtë çështje, duke sugjeruar që të kontaktohen përgjegjësit e policisë në veri.

Në anën tjetër, KosovaPress-i ka provuar për dy ditë të marr një prononcim nga krerët e Policisë së Kosovës në veri rreth këtij problemi, por pa sukses.

scroll to top