Policia amerikane lëshon urdhër për marrjen e ADN-së së Ronaldos

Policia e Las Vegasit dëshiron t’i shohë nëse analizat e ADN-së së Cristiano Ronaldos përputhen me ato të fustanit të Kathryn Mayorgas, e cila e akuzoi portugezin për dhunim.

“Wall Street Journal” thotë se policia e ka dërguar urdhrin në gjykata italiane, në mënyrë që ato të marrin ADN-nën e Ronaldos, i cili aktualisht është lojtar i Juventusit, transmeton Gazeta Express.

Ronaldo është i akuzuar për dhunimin e gruas në një hotel të Las Vegas, mirëpo Ronaldo gjithnjë i ka mohuar këto akuza ndaj tij.

Në vitin 2009, Mayorga dhe Ronaldo e kishin arritur një marrëveshje, sipas së cilës portugezi do ta paguante atë 350 mijë euro për të mos folur më kurrë për këtë ngjarje. Megjithatë, tani, nëntë vite më vonë, Mayorga është inspiruar nga lëvizja “Me too” dhe e ka bërë publike akuzën.

Policia e Las Vegasit e ka konfirmuar se padia fillestare për këtë rast ishte bërë në vitin 2009, por atëherë Mayorga nuk e kishte përmendur emrin e Ronaldos. Tani, pasi ajo pretendon se personi që e kishte përdhunuar është Ronaldo, Policia e Las Vegasit i ka hapur hetimet përsëri. /Gazeta Express/

scroll to top