Policia: Asnjë incident në protestën e sotme në Pejë – morën pjesë 2000 protestues

Partitë opozitare, apo Opozita e Bashkuar siç po e quajnë veten Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën, përmes një njoftimi dërguar mediave, kanë bërë me dije se në qytetin e Pejës në mënyrë masive kanë manifestuar qytetarë të shumtë për Republikën.

Opozita thotë se qytetarët dëshmuan se nuk do të lejojnë që Kosovës t’i hiqen mbi 8000 hektarë tokë.

Në njoftim më tej theksohet se në sheshin kryesor të qytetit, mijëra qytetarë të mbledhur, disa me pankarta e disa me thirrje të ndryshme, kanë shprehur vullnetin që flet kundër faljes së tokave Malit të Zi dhe kundër kthimit të Serbisë në Kosovë.

“Të gjithë ata protestues në Gjakovë, Prishtinë e Gjilan e sot këtu në Pejë po i thonë Hashimit e Isës se me popullin nuk luajnë më, dhe se “Zajednica” e Demarkacioni nuk kalojnë”, ka thënë kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Të gjithë folësit kanë theksuar se sa të dëmshme janë marrëveshjet me Serbinë dhe ato me Malin e Zi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e cilësoi Pejën e Dukagjinin si vend të lirisë. “Ne duam që të gjithë qytetarët të jenë të lirë, përfshirë të gjitha komunitetet por nuk do ta lejojnë Serbinë brenda Kosovës”, shtoi ai gjatë fjalës së tij.

Ndërkaq, Jakup Krasniqi nga NISMA tha se qytetarët kanë shumë arsye për t’u mbledhë bashkë në kundërshtim.

“Sot, kemi ardhur në qytetin e Dukagjinit për të kërkuar mbështetje, jo për fatin tonë por për fatin e brezave të ardhshëm. Kemi ardhur që së bashku t’i themi jo “Zajednicës” dhe demarkacionit. Nëse Isa e Hashimi kanë prona për t’i falur, le t’i falin ato por jo pronat e Kosovës”, ka thënë Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMËS për Kosovën, Jakup Krasniqi.

Kurse Policia e Kosovës, në njoftimin për media në lidhje me organizimin e sotëm të opozitës në qytetin e Pejës, ka thënë se tubimi është paralajmëruar paraprakisht në institucionet përkatëse “me kërkesën se do të organizojnë manifestim protestues me moton “Peja manifeston për Republikën”, e më qëllim për t’i kundërshtuar dy marrëveshjet për formimin e Bashkësisë së Komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi”.

Policia e Kosovës, para dhe gjatë mbajtjes së tubimit /protestës, thotë t’i ketë kushtuar vëmendje të shtuar ofrimit të sigurisë, deri në shpërndarje të masës sipas një plani operativ të koduar “Protesta 16.12.2015”.

“Qëllimi i këtij plani operativ ishte të merren masat e nevojshme në mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike, dhe zbatueshmëria e ligjit. Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të nevojshme operative për të siguruar që protesta të kalojë pa ndonjë incident dhe qytetarët (pjesëmarrësit) të shprehin në mënyrë demokratike në suaza ligjore protestën e tyre me moton “Peja manifeston për Republikën”. Manifestimi protestues ka filluar në ora 12:00 dhe ka përfunduar në ora 12:50. Gjatë tërë kohës nuk është raportuar asnjë incident i cili kishte me ndikuar në rrjedhjen e protestës në rend dhe siguri”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, në fund, Policia thotë se sipas vlerësimeve të bëra, pjesëmarrja e qytetarëve në ketë protestë ishte rreth 2000 sosh.

scroll to top