Policia belge zbuloi lëndë për prodhim të bombave

Policia belge ka gjetur plumba dhe lëndë për prodhimin e bombave në shtëpitë e dy personave, të arrestuar nën dyshimin se kanë pasur lidhje me sulmet terroriste në Paris.
Avokatët mbrojtës të të arrestuarve kanë theksuar se klientët e tyre janë të pafajshëm dhe se në tërë rastin janë përzier pasi që të shtunën kanë udhëtuar drejtë Parisit, për tu takuar me Salah Abdelslamin, të dyshuarin kryesor për sulmet, pasi që ai i kishte thirr në telefon për të kërkuar ndihmë, me pretendimin se i ishte prishur automjeti.
Sipas medieve belge, tek të arrestuarit është gjetur një sasi e amoniak nitratit, por ata kanë mohuar se kanë synuar ta përdorin këtë material për të prodhuar bombë.
Në ndërkohë, aksioni i kërkimit të ideatorëve të sulmeve në Paris po përqendrohet gjithnjë e më shumë në Belgjikë, vend ky i cili sipas ekspertëve është shndërruar në qendër të xhihadistëve në Evropë.
Analistët janë të mendimit se Belgjika ka dështuar në luftën kundër ekstremizmit islamik dhe për shkak të akteve terroriste të ekstremistëve, Belgjika gjatë 18 muajve të fundit pesë herë ka qenë në qendër të vëmendjes të opinionit botëror.

scroll to top