Prej 46 vitesh 350 familje në Shqipëri jetojnë në kapanonet e punëtorëve

Kamera e emisionit “BOOM” në RTV Ora News ka udhëtuar në Vaun e Dejës aty ku 350 familje janë vendosur në kapanonet e punëtorëve që prej vitit 1971.

350 familje nga tre fshatra Lisen, Miollë dhe Qyrsaq u vendosën me urdhër të Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës në kapanonet e përkohshme të punëtorëve në Vaun e Dejës, pasi në fshatrat e tyre u ndërtua HEC.

Kur u shpërnda tokë me ligjin 7501 në Laç të Vaut të Dejës, aty ku ata jetojnë nuk përfituan asgjë.

Një VKM e vitit 1994 dha për këto familje 194.2 ha tokë, por kur ata shkuan toka ishte zabtuar nga banorët atje. Kështu këto familje u rikthyen në lagjen Kinoklub të Vaut të Dejës me rrugë të ngushta, pa ndriçim, pa kanalizime dhe mbi të gjitha me shtëpi me çati eternit.

Për ironi të fatit, edhe pse jetojnë shumë pranë hidrocentralit këta banorë janë pa drita dhe ujë vjen vetëm dy orë, madje i ndotur. Banesat e tyre janë të mbuluara me eternit, e cila është e dëmshme për njeriun, pasi çliron substanca kancerogjene.

Banori 1: Quhem Zef Leka, banor këtu në lagjen e Vaut të Dejës, i shpërngulur me forcën e diktatutës më 9 shtator 1971 nga fshati Lisën. U shpërngulëm si pasojë e ndërtimit të hidrocentralit të Vaut të Dejës, të sistemuar në godinat e punëtorëve. Tokat na i ka mbuluar uji. Shkaku i këtij fukarallëku është se ne na është mohuar e drejta e tokës, pra nuk jemi trajtuar me ligjin 7501. Duhet një plan i rilëvrimit i pronës që të dërgojmë hartat atje, por ajo është e mbuluar me ujë. Pra duhet një ligj  tjetër për ne që të na japin dëmshpërblim. Para 90 ne kemi qenë më mirë, sepse çdo familje ka pasur një apo dy persona në punë shteti. Tani jemi pa punë fare.

Banor 2: Jam banor i zonës së përmbytur, në kohën kur është ndërtuar hidrocentrali na janë përmbytur shtëpiat dhe na sollën këtu.

Gazetarja: Jeni dëmshpërblyer?

Banori 2: Asnjë lekë, si ata në Siri që i largojnë më luftë. Ne me luftë nuk jemi larguar, por me paqe dhe nuk na kanë dhënë asgjë. Prej qeverisë asnjë lloj ndihme deri më sot nuk e kemi pasur. Vetëm ça na ka ndihmuar bashkia.

Gazetarja: Ku jeni ankuar?

Banori 2: Kudo, te kryeministri, ministra, kudo. Kemi bërë grevë, por prej shteti asgjë.

Gazetarja: Prej sa vitesh jeni këtu?

Banori 2: Unë kam ardhur këtu 3 vjeç dhe tani jam 49 vjeç. Imagjinoje tani në ternit.

Banori 3: Zona e përmbytur jemi ne. Nga fshati Lisën kemi ardhur

Gazetarja: Jeni dëmshpërblyer?

Banori 3: Po po na kanë dhënë bukë kallamoqi, asnjë send nuk kemi marrë.

Gazetarja: A ju kanë dëmshpërblyer?

Banore: Jo

Gazetarja: Si është energjia elektrike?

Banori: Ka raste që fiket me 2-3 ditë

Gazetarja: Kur bie shi përmbytet zona?

Banori: Kur bie shi përmbytet zona dhe nuk ke ku fle.

Gazetarja: Keni ujë?

Banori: 2 orë në ditë kemi. Në një vend ku mbytet nga uji, por ujë nuk kemi, edhe kur vjen vjen me mbeturina.

Gazetarja e BOOM pyeti bashkinë e Vaut të Dejës. Sekretari i këshillit bashkiak tha se i kanë çuar disa shkresa ministrisë dhe kryeministrit, por deri tani nuk është marrë asnjë përgjigje. 

Gentjan Ndoj, Sekretar i Këshillit Bashkiak Vau i Dejës: Lagjia Kinoklub është lagjia më e varfër e qytetit. Është një lagje që vjen totalisht nga zona e përmbytur. Janë përmbytur në vitin 1971 nga hidrocentrali i Vau të Dejës dhe komplet kjo lagje është zhvendosur në kapanonet e punëtorëve që kanë ndërtuar hidrocentralin. Është një lagje që nuk është trajtuar me ligjin 7501. Nuk kanë marrë asnjë subvencionim. Hidrocentrali është ndërtuar në tokat e tyre dhe këta banorë nuk janë të punësuar dhe sot jetojnë vetëm me ndihmën ekonomike që i jep bashkia. Ne si bashki i kemi bërë disa herë shkresa ministrive përkatëse, kryeministrit. Kemi marrë fjalë të mira, por konkretisht nuk është bërë asgjë për këta banorë. Është një lagje që nuk ka ujë të pijshëm të vazhdueshëm, kanë probleme me rrjetin elektrik. Ne si bashki kemi marrë masa edhe për ujësjellësin.

Gazetarja: Pse nuk janë marrë më përpara këto masa?

Gentjan Ndoj, Sekretar i Këshillit Bashkiak Vau i Dejës: Nuk kanë qenë mundësitë, sepse bashkia e Vaut të Dejës kanë qenë më vetë dhe nuk ka pasur të ardhura. Problemi më kryesor i këtyre banorëve është heqja e eternitit që është kanceroz. Çdo shtet i huaj paguan lekë për ti hequr këto, vetëm qeveria jonë nuk ka marrë asnjë masë për heqjen e eternitëve nga këta banorë.

Gazetarja: Çfarë pasojash ka sjellë eternit për familjen tuaj

Banori: Sëmundje kancerogjene

Gazetarja: Keni pasur probleme me shëndetin

Banori: Po normale, vajzë më ka lindur me këmbë të sëmurë. Ndërkohë që unë nuk kam pasur asnjë sakat

Gazetarja: Prej sa vitesh jeton në këtë shtëpi?

Banorja: 45 vitesh

Gazetarja: Me eternit?

Banorja: Me eterinit?

Gazetarja: Çfarë problemesh ju ka sjellë

Banorja: Boll probleme na ka sjellë

Banorja: Unë jam banorë e Vaut të Dejës, jemi zonë e përmbytur kam 45 vjet këtu dhe nuk na ka ndihmuar askush.

Agim Shehi, Specialist ISHP: Eternit është një mbulesë e cila është një lëndë e klasifikuar kancerogjen për njerëzit. Eterniti e ka dëmin kur ai fillon dezintegrohet, duke lëshuar në ajër dhe në banesë ezbes dhe shkakton dëme tek njerëzit. Efektin e ka tek rrugët respiratore dhe jep një kancer specific. Pra efekti i tij është i drejtpërdrejtë në shkaktimin e kancerit. Eterinit tashmë si në të gjithë vendet europiane dhe në botë është i ndaluar të përdoret. Pushteti vendor duhet ta krijojë këtë mundësi, ose duke kërkuar nga ministria e linjës një buxhet të vogël që këta njerëz të shpëtojnë nga një substancë kancerogjene.

scroll to top