Pretendohet se Tokio ka “paguar” organizimin e Olimpiadës 2020

Prokurorët francezë kanë nisur hetime për rreth dy milionë dollarë, për të cilat pretendohet se Tokio ka “paguar” organizimin, të cilin edhe e mori për mbajtjen e Lojërave Olimpike 2020, raporton Anadolu Agency (AA).

Në prag të një skandali tjetër në botën e sportit, gazeta britanike “The Guardian”, pa cituar burime, ka raportuar se Tokio ka dhënë “ryshfet” për të marrë organizimin e Olimpiadës, e cila u mohua ashpër nga kryeqyteti japonez.

Zëdhënësi i Komitetit organizues, “Tokyo 2020” Hikariko Ono tha se “Komiteti nuk është në dijeni për pohimet dhe beson se Tokio me meritë ka marrë organizimin sepse pati ofertën më të mirë”.

Gazeta shkruan se shuma e kontestuar ishte paguar në një llogari në Singapor në pronësi të Papa Massat Diack, djalit të ish-presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF), Lamine Diack.

Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Yoshihide Suga është prononcuar përmes një deklarate se “qeveria japoneze do të bashkëpunojë në qoftë se marrin kërkesë për hetim”. Ai shtoi se qeveria japoneze, në lidhje me akuzat, nuk ka në plan të marrë në pyetje anëtarët e Komitetit Organizativ.

scroll to top