Pritet dhunë në protestën e PD-së, metoda e opozitës kosovare transportohet në Tiranë

Përtej simbolikës që përmbledh 8 Dhjetori dhe numrit të nostalgjikëve që mund të nxjerrë në shesh përkujtimi i 25 vjetorit të protestave, kreu demokrat Lulzim Basha ka angazhuar krerët e degëve në rrethe që të sjellin atë kategori militantësh që e sheh raportin me të majtën dhe me të shkuarën e saj komuniste.

Dje kreu demokrat ka urdhëruar edhe njëherë krerët e degëve, kryebashkiakët e PD-së dhe rrethin e tij të besnikëve për tu fokusuar te strategjia që protesta të zgjasë disa ditë.
Protesta e të martës që përkon me 25 vjetorin e protestave të studentëve, pritet të jetë një marshim pa kthim për demokratët deri në largimin e qeverisë. Kështu është artikuluar dje kreu i PD-së Lulzim Basha, kur deklaroi se protesta e 8 dhjetorit është një aksion që synon të rrëzojë nga pushteti dyshen Rama­Meta.
Ai thërret demokratët që të përsërisin atë që bënë 25 vite më parë. “Siç bënë studentët para 25 vitesh, edhe të martën duhet të rrëzojmë të njëjtën klikë, që vazhdon të qeverisë vendin”, është shprehur Basha. Vetë Lulzim Basha e ka të qartë se thirrjet për përmbysje nuk do prodhojnë atë që ai kërkon të bëjë me ndihmën e popullit opozitar dhe prandaj ka angazhuar strukturat për të mbledhur rreth protestës edhe militantët e ish-kreut të opozitës, të cilët janë të gatshëm të rezistojnë përtej.
Marshim pa kthim
Nga Pallati i Kongreseve, në Konventën përmbyllëse për kreun e FRPD-së, kreu demokrat tha se 8 dhjetori për opozitën do të jetë maratona e përballjes pa kthim deri në largimin e qeverisë. Si do ta rrëzojnë demokratët qeverinë, dhe kush do ta bëjë?! Basha e ka përgjigjen. “Qytetarët do ta bëjnë. Populli do ta bëjë me pjesëmarrje masive e mbarëpopullore në protestë, me vendosmëri, pa u tërhequr, pa u lodhur asnjë çast deri në rrëzimin e qeverisë. Qytetarët e bashkuar janë fuqia supreme në demokraci. E ka treguar bota demokratike. E treguan fqinjët tanë në Rumani e Maqedoni. Do ta tregojnë edhe shqiptarët. Protesta dhe marshimi popullor me 8 Dhjetor nuk është vetëm nderim, nuk është vetëm protestë, por është përgjigja popullore kundër qeverisë më të dështuar e më të korruptuar në histori”, është shprehur Basha.
Ankthi i kryetarit të opozitës
Kreu demokrat është shqetësuar për numrin e qytetarëve që do t’i përgjigjen thirrjes së tij për t’u mbledhur në sheshin para kryeministrisë, një test që vlen sa për të shuar zërat kundërshtarë brenda vetë partisë, por edhe një shenjë se çfarë premisash ka opozita e drejtuar prej tij për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Protesta e 8 Dhjetorit do të tregojë nëse Lulzim Basha është i aftë të krijojë frymën që i duhet demokratëve për të bërë ndryshimin që i nevojitet. Ky është ankthi më madh i kryetarit të opozitës që ka shumë pak kohë në dispozicion për të shtuar votuesit dhe për të rregulluar defektet që ka prodhuar karriera e tij në bashki dhe në ministritë ku ka drejtuar.
Kush janë pro dhunës dhe kundër
Sali Berisha dhe garda e vjetër e rrëzuar nga pushteti, janë pro linjës së dhunës në protestën e 8 dhjetorit. Nga ana tjetër, Lulzim Basha është angazhuar këto ditë në funksion të pjesëmarrjes së madhe, dhe mos-largimit nga rruga, por jo duke dhunuar institucionet. Qëllimi i tij është që përmes rezistencës të tregojë se ai meriton të jetë në krye të partisë. Ndërkohë dhe ish-kreu demokrat Sali Berisha ka shpërndarë nëpër rrethe besnikët e tij, për të mobilizuar të tijët, njerëz të zemëruar që kanë humbur privilegjet në parti dhe jashtë saj gjatë këtyre dy vjetëve. Teksa 8 Dhjetori po afron, selinë qendrore të Partisë Demokratike, janë intensifikuar lëvizjet. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha e konsumon ditën, duke zhvilluar takime me rrethin e bashkëpunëtorëve, krerët e degëve, deputetët, kryebashkiakët etj. Lëvizje intensive janë konstatuar edhe rreth pallatit ku ka zyrën Sali Berisha. Ky i fundit zhvillon takime intensive paralele me bashkëpunëtorët e tij, duke iu mbivendosur agjendës së Lulzim Bashës.
Thirrja e Bashës në Konventën e FRPD-së
Ndërkohë dy ditë para protestës së thirrur nga opozita e që përkon me ditën e rinisë, të rinjtë demokratë janë mbledhur në konventën finale të zgjedhjes së kryetarit të forumit. Duke folur për rolin e të rinjve në demokraci, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha renditi të gjitha kategoritë sociale, që sipas tij nuk kanë parë nga kjo qeveri veçse shtypjen dhe terrorin, vjedhjen dhe agresionin e saj, për të cilat, tha ai, nuk ka asnjë reflektim: “Do ta bëjnë më keq, po t’i lëmë ne. Por ne nuk do t’i lëmë. Këtu mbaron koha e tyre. Kupa është derdhur dhe durimi i shqiptarëve ka marrë fund”. Në vijim të fjalës së tij Basha deklaroi se marshimi i 8 dhjetorit nuk do të jetë i veçuar, por i vazhdueshëm. “Ftoj qytetarët në protestën që do të nisë në sheshin “Skënderbej” dhe do të vijojë me ecjen në bulevard drejt Kryeministrisë. Bekim pastë rinia e Shqipërisë që i vjen shansi të risjellë lirinë nga tirania e krimit, korrupsionit, padrejtësisë dhe varfërisë”.
“Zëri” i Bashës, përplasje në distancë mes Pezës dhe Dumës
Protesta e paralajmëruar nga opozita më 8 dhjetor ka nxitur një përplasje në distancë mes dy selive të partive kryesore në vend, ku janë shkëmbyer akuza dhe kundërakuza. Fillimisht ka qenë deputeti i Partisë Socialiste, Alfred Peza i cili tha se protesta vjen pasi kreu i PD-së, Lulzim Basha nuk ka përkrahjen e deputetëve dhe drejtuesve të strukturave të partisë. “Basha mendon se duke trashur zërin do të fitojë pak më shumë mbështetje nga Partinë Demokratike. Kjo është e vetmja arsye pse pas humbjes së thellë të 2013 dhe pas humbjes edhe më të thellë në zgjedhjet e 2015-ës, Basha kërkon revolucion. 6 muaj pasi mori shuplakën e dytë nga shqiptarët që nuk e votuan alternativën e tij, Basha kupton se PD, deputetët dhe drejtuesit e saj nuk e përkrahin”, tha Peza. Në kundërpërgjigje nga selia e PD-së doli sekretarja për Marrëdhënie me Publikun, Grida Duma. Ajo tha se këto sulme dhe shpifje ndaj opozitës vijnë nga paniku që ka kapur mazhorancën. Sa më shumë afron 8 dhjetori, dita e bashkimit popullor kundër Edi Ramës dhe byrosë së hajdutëve, aq më shumë rritet ankthi e paniku i njeriut, të cilin, raportet ndërkombëtare e kanë përcaktuar si pronarin e 200 milionë eurove, kryeministrin më të pasur, të vendit më të varfër në Europë. Ankthi i tij buron nga fakti se me 8 dhjetor në shesh nuk do mblidhet vetëm opozita, por një popull i tërë, i shtypur, i dhunuar nga keqqeverisja, nga korrupsioni, nga krimi i ngritur në pushtet dhe nga padrejtësia”, u shpreh Duma.
– See more at: http://lajmi.net/pritet-dhune-ne-protesten-e-pd-se-metoda-e-opozites-kosovare-transportohet-ne-tirane/#sthash.LRuMHiBb.dpuf

scroll to top