PSD-ja po ia bën argatin Thaçit dhe po ia zgjat jetën Qeverisë Haradinaj – thotë Vetëvendosja

shpend-ahmeti_9377.jpg

Partia e Shpend Ahmetit po ia zgjat jetën Qeverisë Haradinaj, me përfshirjen e tyre në ekipin negociator, në fazën finale të dialogut me Serbinë. Madje, ish-bashkëpartiakët e PSD-së, nga Lëvizja Vetëvendosje po konsiderojnë së partia e Ahmetit përveçse po ia bën argatin Haradinajt, po i kryen favor edhe presidentit Hashim Thaçi. Rezoluta në fjalë pritet të diskutohet dhe të votohet sonte në mbrëmje në Kuvend, në një seancë të jashtëzakonshme.

Një ditë pasi PSD-ja njoftoi se ka përgatitur një projektrezolutë për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Lëvizja Vetëvendosje ka shpërthyer në akuza ndaj ish-partiakëve të tyre, të cilët i akuzon edhe për vjedhje të mandateve.

Partia e Albin Kurtit insiston se PSD-ja me mandatet e deputetëve, që i ka marrë nga VV-ja, po ia bën argatin presidentit Hashim Thaçi, dhe të njëjtit thonë se po ia zgjasin jetën Qeverisë së koalicionit PANA, me Ramush Haradinajn kryeministër.

“Pjesa e vazhdimit të dialogut duhet të bëhet pas zgjedhjeve të reja”, tha të martën për Gazetën Express, deputetja e VV-së Arbërie Nagavci.

“Çdokush që bëhet pjesë e ekipit negociator, tani, para zgjedhjeve të reja dhe duke e vazhduar këtë proces që është filluar nga Hashim Thaçi, me shumë paqartësi, me një mungesë të plotë të transparencës dhe me shumë marrëveshje që janë në dëm të plotë të Republikës së Kosovës, vetëm se e tregon se ata tashmë janë bërë pjesë e pazareve”, konsideron Nagavci.

Tutje, ajo ka edhe një paralajmërim për PSD-në.

“Kushdo që bëhet pjesë e ekipit negociator, për të vazhduar rrugën në biseda ashtu siç e ka nisur Thaçi, do të mbajë përgjegjësi njësoj sikur se ata që mundësojnë vazhdimin. Është shumë gabim, që dikush prej opozitës të bëhet pjesë e këtyre lojërave politike të Thaçit dhe tashmë edhe të qeverisë Haradnaj”, ka shtuar Arbërie Nagavci.

Ajo ka përsëritur edhe një herë, se para se të shkohet në fazën finale të dialogut me Serbinë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, në mënyrë që Kosova në dialog të ketë përfaqësues kredibilë dhe me legjitimitet për të udhëhequr fazën finale të këtij procesit, e cila duhet të përfundojë me një marrëveshje mes dy vendeve.

Gazeta Express, të martën, ka provuar të marrë qëndrim edhe nga PSD-ja për reagimin e VV-së ndaj propozimit të tyre, por asnjë nga deputetët e kësaj partie nuk janë përgjigjur në thirrjet e gazetës.Nga ana tjetër, edhe analisti Astrit Gashi, thotë se krijimi i grupit negociator edhe me PSD-në dhe Alternativën, i propozuar nga të parët, padyshim se ia zgjat mandatin Qeverisë së tanishme. Të paktën, sipas Gashit, deri në përfundimin e dialogut.

“Pa një ekip dialogues zor se kjo qeveri do të mund të ekzistonte gjatë. Këtë e kanë paralajmëruar edhe vetë partnerët e koalicionit. Në anën tjetër, PSD-ja dhe Alternativa, por me theks të veçantë PSD-ja po e shohin përfshirjen në dialog si rrugën e vetme të tyre për të paraqitur një opsion në politikën kosovare. Një opsion që nuk është as tamam qeveri dhe as tamam Vetëvendosje”, tha Gashi në një bisedë për Express.

 

Sipas tij, partia e Shpend Ahmetit, është ende në kërkim të identitetit të saj politik dhe atë synon ta bëjë përmes përfshirjes në dialog.

 

“Nëse përfundon suksesshëm, kjo parti shpreson t’i japë kredibilitet politik dhe zgjedhor kurdo që mbahen zgjedhjet”, thotë analisti kosovar.

 

“Në anën tjetër, ndonëse LDK-ja po kërkon zgjedhje për dialog, ajo në fakt kësisoj po negocion me Thaçin për ta rrezuar qeverinë, dhe zgjedhje jo më shpejt se qershori 2019. VV-ja, ndërkaq, nuk sheh dialog i cili nuk do të udhëhiqej nga ajo. Në këtë rrethanë, PSD-ja nuk ka interes për të shkuar në zgjedhje pa siguruar kapital politik, madje në këtë rast dhe në këtë pikë e ka bashkuar në ide me ato të partnerëve të koalicionit, që po ashtu nuk kanë interes për zgjedhje”, tha Gashi.

 

Ndryshe, pas publikimit të rezolutës së PSD-së për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është raportuar se edhe Shpend Ahmeti do të jetë bashkëkryesues i kreut të Nismës, Fatmir Limaj, në ekipin negociator. Limaj tashmë është i emëruar qe disa javë si kryeshef i delegacionit kosovar në fazën finale të dialogut në Bruksel. /M.Gj./GazetaExpress/.

scroll to top