Qamili: Polici Afrim Sulejmani do të kthehet në punë!

Kthimi në punë i policit shqiptarë nga Kumanova Afrim Sulejmani, i cili u arrestua në aksionin e fillim-majit në Lagjen e Trimave në Kumanovë vazhdon të zvarritet. Edhe përkundër dorëzimit të kërkesës, Sulejmani nuk ka marrë kurrfarë përgjigje nga MPB-ja. Zëvendës Ministri i Brendshëm Zemri Qamili thotë se shërbimet janë duke e shqyrtuar këtë rast. Qamili beson se polici Afrim Sulejmani do të kthehet në punë, por pa saktësuar se kur do të ndodh një gjë e tillë.

“Sa i përket policit nga Kumanova Afrim Sulejmani, disa herë është bërë kjo pyetje dhe ai përmes avokatit të tij ka bërë një kërkesë deri tek MPB-ja dhe tani shërbimet janë duke përcjellë kërkesën e Sulejmanit dhe besojë se së shpejti do të kemi një vendim dhe besojë që Afrim Sulejmani do të kthehet në punë,” u dhpreh Zemri Qamili, zv/Ministër i Brendshëm.

Polici shqiptar nga Kumanova ende nuk ka përgjigje se përse po zvarritet miratimi i kërkesës së tij për t’u kthyer në punë, pasi një gjë e tillë ligjërisht i takon.

“Avokati im ka lëshuar kërkesë deri në MPB për kthimin tim në punë, por nuk kemi përgjigje, pavarësisht se pafajësia ime doli. Besoj se do të marr një përgjigje pozitive nga MPB-ja. Konsideroj se po zvarritet çështja, jam i pafajshëm dhe duhet me automatizëm të më kthejnë në punë,” deklaroi Afrim Sulejmani, policë i suspenduar.
Zv/Ministri i Brendshëm Qamili thotë se është i njoftuar me të drejtën ligjore të policit për t’u kthyer në punë, pasi sipas ligjit personi i autorizuar humb vendin e punës vetëm nëse brenda periudhës 6 mujore nuk paraqitet në punë dhe nuk shpjegon arsyet. Në këtë rast, Sulejmani ka qenë i arrestuar, ndërsa në punë ka munguar më pak se periudha e përcaktuar me ligj. Afrim Sulejmani u lirua nga paraburgimi me datë 19 tetor në mungesë të provave, ndërsa ishte dyshuar për pjesëmarrje në logjistikën e grupit të armatosur.

scroll to top