Qeveria: Nuk ka alarm për shkarkime masive nga puna nga bizneset

Revista Monitor publikoi pjesë të një e-mail të Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Sheja që vinte alarmin për shkurtimet nga puna të bizneseve në muajt e fundit. Sipas revistës, listat e të larguarve nga puna për periudhën shtator-tetor të këtij viti tregojnë një situatë vërtet alarmante të pushimeve nga puna të punonjësve. Numërohen rreth 73 mijë largime nga puna të deklaruara të punonjësve për shtatorin dhe tetorin 2015, shumë prej të cilëve i përkasin industrisë së këpucëve e veshjeve dhe të call center, dy sektorët që kanë qenë gjeneruesit kryesorë të punësimit në vend.

Këto të dhëna kanë shqetësuar dhe drejtoreshën e përgjithshme të Tatimeve, Brisida Shehaj, e cila në një email drejtuar stafit (që disponohet nga Monitor) u thotë atyre “Dua urgjent analizën sidomos drejtoria e VIP, janë 4800 largime dhe është alarmante. Kontaktoni çdo subjekt”.

Reagon qeveria

Mbrëmjen e së premtes ka reaguar qeveria në portalin transparenca.al ku thuhet se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ka procedurë rutinore të punës së saj, monitorimin e të gjithë regjistrimeve/çregjistrimeve nga puna, kjo për të mos lejuar bizneset që të kenë punonjës të padeklaruar dhe e-maili i Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve është formuluar si pjesë e kësaj pune rutinore të zyrës së tatimeve.

“Ajo çfarë nuk theksohet në artikullin e revistës është numri i punonjësve që janë formalizuar apo shtuar në sistemin tatimor. Si pasojë e aksionit kundër informalitetit, vetëm për periudhën Shtator – Tetor janë regjistruar 135 mijë punonjës. Diferenca neto midis personave që janë shtuar dhe atyre që janë çregjistruar për këtë dymujor është rreth 67 mijë, shifër e cila krahasuar me ritmin mesatar mujor përgjatë pjesës së parë të këtij viti, është 10 herë më e lartë. Nga ana tjetër, largimet gjatë muajve të fundit janë në të njëjtin nivel me mesataren e mëparshme të çregjistrimeve. Më poshtë gjenden të dhënat mujore për shtimin e punonjësve, për vitin 2015” –shkruhet në portalin e qeverisë.

scroll to top