Qytetarët e Kosovës parashikuan rezultatin e raportit për liberalizimin, analistët sqarojnë çështjen

Sot, Këshilli Evropian, ka nxjerrë një raport për Zgjerim dhe Stabilizim Asocim, e cila njihet ndryshe edhe si paketa e zgjerimit për vitin 2015.  Në këtë raport, konkluzat për Kosovën, sa i përket liberalizimit të vizave nuk kanë dalë pozitive, pasi aty thuhet se Kosova ka ende nevojë që të punojë në këtë drejtim.

Një rezultat të tillë veç se ishte i pritur nga qytetarët e Republikës s Kosovës. Sipas një sondazhi të publikuar nga Gazeta Liria me pyetjet se “A do të bëhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës gjatë vitin 2016?”, afërsisht gjysma e respodentëve u përgjigjën negativisht.

Nga gjithsej 1413 votues sa i janë përgjigjur sondazhit gjithsej 676 votues ose 48% e votuesve votuan se nuk besojnë që do të bëhet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës gjatë vitit 2016.

Se Kosovarët janë popull optimist, tregon fakti se 1/3 apo 33% e votuesve (461 votues) kanë votuar se besojnë në vendim pozitiv për liberalizimin e vizave, përkundër problemeve të mëdha socio-politike në Kosovë.

Pjesa tjetër 20% e votuesve ose 276 votues i janë përgjigjur sondazhit me përgjigjen se nuk e dijnë se çfarë do të ndodhë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq, i pari që ka reaguar lidhur me publikimin e raportit të sotëm ka qenë zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se është “zhgënjimin e thellë për vonesat e pakuptimta të BE-së për liberalizimin e vizave. Këtë vonesë të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën e konsideroj provokim të rëndë dhe rezultat të paaftësisë dhe mungesës së vullnetit politik të lidershipit në Bruksel. Për mua është marrëzi nga ana e BE-së, që të mbajë të izoluar kosovarët. Këto vonesa absurde dhe të qëllimshme, jo vetëm që nxisin ekstremizmin në vend, por e rrisin edhe frustrimin tek qytetarët e Kosovës”.

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku tha për lajmi.net se ai do të pres raportin e 17 dhjetorit lidhur me rekomandimin e Këshillit, lidhur me liberalizimin e vizave.

Labinot Hajdari nga Qendra Kosovare për Diplomaci (KCD), pohon se në konluzat e pakos së zgjerimit që sot i bëri publike Këshilli i Bashkimit Evropian qartas theksohet se me gjithë përparimet që ka shënuar Kosova në implementimin e kritereve, ajo nuk mund të marrë një rekomandim pozitiv sa i takon liberalizimit të vizave.

Hajdari shtoi se ky ishte nja lajm i keq për Kosovën, duke dëshmuar edhe njëherë mungesën e vullnetit politik të BE-së ndaj Kosovës, duke përdorë kritere shumë të ashpra karshi vendeve tjera të Ballkanit. Gjithashtu mënyra se si BE-ja ka shpërblyer vendet tjera si Moldavia e cila e gëzon liberalizimin e vizave, pastaj hyrja në fuqi e vendimit për liberalizimin e vizave me Kolumbinë, janë indikatorë të mjaftueshëm se këtu kemi të bëjmë më shumë me një vendim gjeopolitik se sa teknik të BE-së., transmeton Gazeta Liria.

Hajdari theksoi se me këtë raport i cili pritet të miratohet ditëve në vazhdim, ku edhe do të qartësoj se ku qëndron Kosova teknikisht me përmbushje të kushteve, BE ka dëshmuar edhe njeherë mungesën e një koncenzusi politik, duke vazhduar kështu të mbajë të izoluar Kosovën. Megjithatë ai eshte optimist se në vitin e ardhshëm ku pritet që Këshilli i BE-së, ta shtrojë edhe njëherë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, të vijë me një raport pozitiv dhe meritor për liberalizimin e vizave dhe përmbushjen e kritereve tjera për rrugëtimin e Kosovës në integrimet europiane. Ndërkaq elitat politike kosovare, pozitë dhe opozitë, deri atëherë duhet urgjentisht të reflektojn, duke tejkaluar krizën politike, dhe të punojë në përmbushjen e kritereve të caktuara, ndryshe do vazhdojm të mbesin në këtë geto të krijuar.

Ndërkaq njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku në një prononcim për lajmi.net thotë se për këtë vit nuk do të ketë më raporte për Kosovën.

Ai thotë se konkluzat e sotme për Kosovën nuk janë pozitive, sa i përket liberalizimit të vizave.

“Kjo është paketa e zgjerimit e vitit 2015 që është rezultat i raportit të Komisionit Evropian i cili është përgatit në fillim të nëntorit të këtij viti dhe raporti i KE-së dorëzohet në Këshillin e BE-së, ndërsa konfiguracioni i Këshillit të BE-së, i cili ka mbajtur mbledhje sot dhe që ky dokument është lëshuar nga ky konfiguracion thuhet se është Këshilli i Çështjeve të përgjithshme dhe në konkluzionet e Këshillit të Përgjithshëm të KE-së pjesa ku i referohet Kosovës, nuk është pozitiv për çështjen ma kruciale tonën, liberalizimin e vizave”, thotë Mazreku.

Analisti Shenoll Muharremi, thotë për lajmi.net se bazuar në konkluzat e publikuara sot, është e vështirë që Kosova të marr rekomandim për liberalizimin e vizave.

“Nëse keni lexuar konluzat e sotshme atëherë është e qartë që nuk janë përmbushur ende kushtet për liberalizim të vizave, atëherë nuk ka se si të rekomandohet liberalizimi”, thotë Muharremi.

Një gjë e mirë nga ky raport, pavarësisht se nuk ka indikacione pozivite lidhur me rekomandimin për liberalizim të vizave, sipas Avni Mazrekut, është se Këshilli Evropian, nuk do të bëjë më raporte vlerësuese gjatë këtij viti për përmbushjen e kritereve për liberalizim.

Mazreku thotë se vitin e ardhshëm, kah muaji mars, pritet që Këshilli i BE-së, të trajtojë sërish çështjen e liberalizimit për Kosovën.

scroll to top