Qytetet e së Ardhmes

Një pikë që po i shqetëson e lidh bashkë mbrojtësit e mjedisit, politikanët dhe planifikuesit urbanë, është modeli i “qytetit të gjelbër”. Qyteti i së ardhmes duhet që në të njëjtën kohë të jetë i jetueshëm dhe me zhvillim të qëndrueshëm.

Pasi qytetet ndodhen para një sfide të vështirë. Në dekadat e ardhshme, pjesa më e madhe e njerëzimit do të jetojë në qytete. Dhjetëra megaqytete të reja do të lindin në mbarë botën. Njëra ndër sfidat më të mëdha të viteve të ardhshme, është ajo që të ndërtohet hapësirë e mjaftueshme për banim e punë në to, pa ulur cilësinë e jetës dhe atë të ambientit.

Pasi qytetet janë njëkohësisht vendi në rang global që shkakton më shumë gaze të dëmshme CO2. Një plan spektakolar, se si do të mund të ngjante “një qytet i së ardhmes” – në këtë rast, Stokholmi – ka mundur ta prezantojë edhe studioja arkitekturore e Stokholmit, nën drejtimin e Andres Berensson.

Sipas saj, kjo do të ishte pamja që do të ofronte nën këtë objektiv kryeqyteti suedez:

Fotoja tregon lagjen e re të planifikuar të ndërtohet në portin e metropolit me 900 mijë banorë. Ideja bazë është që në këtë lagje të re të arrihet të sistemohen sa më shumë njerëz, pa ndikuar në cilësinë e mjedisit. Aty do të duhet të ngrihen 5.800 apartamente, 8.000 zyra dhe rreth 300 biznese.

Sipas dëshirës së arkitektëve, 90 për qind e banorëve të atjeshëm, apo e nëpunësve, duhet të shijojnë pamjen spektakolare që ofron Perëndimi i qytetit. Shtëpitë duhet të ngrihen në lartësi të ndryshme dhe duhet të kenë nga katër, deri në shtatë kate. Në çati janë planifikuar sipërfaqet e gjelbra.

Kjo, në pamje të parë nuk shihet si një zhvillim shumë i qëndrueshëm. Por sa më ngushtë të jetojnë njerëzit dhe sa më e shkurtër të jetë rruga, aq më pak energji përdoret. Ata kursejnë për shembull, kostot e makinës dhe kostot e lëndëve të para për infrastrukturën dhe rrugët bëhen të aksesueshme për më shumë njerëz. Shembulli për këtë lloj planifikimi urban, janë vetë qytetet e vjetra europiane. Atje ndodhen banesa, biznese dhe zyra pune, shpesh të gjitha pranë njëra-tjetrës. Ky shembull po rizbulohet tashmë gjithnjë e më shumë nga arkitektët.

E veçanta e projektit të Stokholmit qëndron në faktin se: deri më tani, konceptet e reja arkitekturore që kanë kopjuar qendrat e vjetra të qyteteve, nuk janë perceptuar fare me qiellgërvishtës.

Por si duan ta aplikojnë konkretisht arkitektët idenë e tyre?

“Synimi ynë janë ndërtesat që kufizohen në pjesët e tyre më të rëndësishme: Një shkallë që rrethohet nga banesat”. Kështu lindin sipas arkitektëve, kulla që shfrytëzojnë më pak sipërfaqe dhe më pak material ndërtimi – dhe kjo është pjesë e konceptit ekologjik. Se sa lëndë të para do të kurseheshin në ndërtesat në Stokholm, krahasuar me një lagje paraardhëse, kjo tashmë është e qartë.

“Me gjithë sipërfaqet më të vogla, në ndërtimin e banesave mund të vihej më shumë vlerë te fleksibiliteti ose faktorë të tjerë, si raporti me dritën”, thonë arkitektët. Për këtë, ndër të tjera, do të ndikojnë mungesa e një ose dy mureve nëpër banesa. Ngaqë si kopshtet, ashtu dhe tarracat në çati, do të kryqëzohen nga rrugë këmbësorësh, e pjesë të mëdha të ndërtesave, do të jenë veç të tjerash, të aksesueshme për publikun.

“Skywalk”: Të ecësh në lartësi

Pjesa më spektakolare e projektit, është i ashtuquajturi “Skywalk”: një urë e gjatë që lidh me njëra-tjetrën tarracat e ndryshme me çatitë e shtëpive. Banorët e Stokholmit, mund ta njohin kësisoj fqinjin e tyre nga një perspektivë tjetër. Një avantazh tjetër: parqet në çati janë një lloj kopshti për banorët e qytetit. Me gjithë ndërtimin në ngushtësi, krijohet pra sidoqoftë një hapësirë për gjelbërimin dhe natyrën. Kërkuesit kanë dëshmuar shpesh se kopshtet në çati, mund ta përmirësojnë në mënyrë domethënëse klimën në qytet.

Zhvillimi i brendshëm i qytetit

Arkitektët kanë ndërtuar edhe një plan të brendshëm për zhvillimin e qytetit të Stokholmit. Në të ardhmen do të ishte pjesa më e populluar e metropolit, si dhe zona me shtëpitë më të larta. “Për shkak të vendndodhjes së saj, pjesa e re qytetit është shumë e përshtatshme për qiellgërvishtësit, e megjithatë, nga këto ndërtesa të reja do të ndikohen vetëm pak prej shtëpive ekzistuese – duke mos u ankuar për zënie të pamjes ose lënie në hije”, shpjegojnë arkitektët për “Huffington Post”.

Nëpërmjet përdorimit të energjive të rinovueshme dhe një ngrohje në distancë, ndërtesat e reja do të kursenin shumë energji. E tashmë mbetet vetëm që projektet të vihen në zbatim e të bëhen realitet – e prej tyre të frymëzohen kësisoj shumë qytete e metropole në botë.

scroll to top