Rama nis zbatimin e platformës së Kokëdhimës, formularë për anëtarësimet, një pjesë e deputetëve braktisin zgjedhjet dhe reformën në PS

Kryeministri Edi Rama ka nisur të zbatojë platformën e super deputetit Koço Kokëdhima për ristrukturimin e Partisë Socialiste, në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Pas shtyrjes së Kongresit, po me propozim të Kokëdhimës, Rama ka pranuar edhe platformën e kryeministrit në hije. Teksa Gramoz Ruçi duket se është tërhequr nga ky proces, në të gjitha degët e Partisë Socialiste është shpërndarë një formular për verifikimin dhe zgjerimin e anëtarësisë së PS, sipas modelit të parashikuar në platformën e Kokëdhimës. Nisma konsiston në identifikimin e anëtarëve fiktivë të Partisë Socialiste si dhe në digjitalizimin e anëtarëve realë. Në formular do të shënohen gjeneralitetet e anëtarit të PS, arsimimi i tij, adresa dhe të dhëna të tjera. Ndërkaq, krahas këtij procesi, po sipas platformës së Kokëdhimës, po identifikohen edhe votuesit që braktisën Partinë Socialiste në zgjedhjet e fundit.
Deputetët braktisin procesin 
Përshkallëzohet lufta sa e ftohtë aq edhe publike mes grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë “Rama”. Kritikat e forta, të ditëve të fundit të Arta Dades, në adresë të qeverisë dhe kërkesa për largimin e ministrave të akuzuar për korrupsionin, janë vetëm një cirkë e vullkanit në selinë rozë. Alarmi i kryeministrit Edi Rama për të përshpejtuar me procesin zgjedhor dhe ristrukturimin e Partisë Socialiste, ka prodhuar efektin e kundërt. Tashmë konflikti mes deputetëve dhe kryeministrit po prek organizimin e brendshëm të partisë. Deputetët e PS kanë braktisur procesin e zgjedhjeve dhe të ristrukturimit të PS në Jug të vendit. Ndërkaq, pas kolegëve të Jugut, të njëjtën taktikë dhe mjet presioni po ndjekin edhe deputetët e Veriut. Nuk ka një bojkot në bllok të procesit të ristrukturimit të Partisë Socialiste, por një braktisje në masë nga deputetët. Sinjali i parë erdhi nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i cili ka bojkotuar dy mbledhjet e fundit të Edi Ramës me koordinatorët në selinë rozë. Bojkoti i Ruçit, sipas burimeve, ka qenë i qëllimshëm, duke i dhënë një mesazh të qartë Ramës, i cili mbështeti platformën e Koço Kokëdhimës për shtyrjen e Kongresit të PS. Ruçi tashmë është distancuar nga ky proces. Për herë të parë duket se kemi një krisje mes Edi Ramës dhe Gramoz Ruçit, për shkak të Koço Kokëdhimës. Ndërkaq, përpos Ruçit, deputetët e Qarkut të Vlorës dhe Gjirokastrës kanë braktisur gjithashtu procesin e zgjedhjeve dhe të reformimit të PS. Një tërheqje të disa deputetëve ka pasur edhe në qarqet e Shkodrës, Dibrës, Lezhës, Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Fierit etj.
Shkaqet 
Lëvizja ka ardhur pas rolit të madh që Rama u ka dhënë koordinatorëve në këtë proces, një pjesë e të cilëve nuk i njohin strukturat e partisë. Po ashtu, një tjetër arsye lidhet me refuzimin e Ramës për të ndryshuar 4-5 ministra të akuzuar për korrupsion. Kjo kërkesë është artikuluar publikisht edhe nga Arta Dade. Një tjetër arsye, është mbivendosja e pjesshme e një platforme paralele e deputetit Kokëdhima, e cila ka çorientuar bazën.
scroll to top