Ramosi: Real Madridi mund ta arrijë Barcelonën

Qendërmbrojtësi dhe kapiteni i Real Madridit, Sergio Ramos, beson se skuadra e tij mund ta arrijë Barcelonën në garën për titullin e La Ligës, pasi që “Los Blancos” u ngritën në pozitën e dytë pas triumfit në derbin e Madridit.

Ramosi shënoi nga pika e penalltisë në fitoren kundër Atletico Madridit në stadiumin Wanda Metropolitano, duke e shënuar golin e 11-të të tij për këtë sezon, rekord ky më i miri në karrierën e spanjollit, transmeton Gazeta Express.

Këto tri pikë ishin mjaft të rëndësishme për kampionin evropian, pasi që ata u ngritën në pozitën e dytë në tabelën e La Ligës dhe tani është pesë pikë larg Barcelonës, e cila do të zhvillojë ndeshjen e kësaj xhiros nesër.

“Ende ka garë për titullin e ligës. Shumë pikë janë ende në lojë dhe çdo ekip mund të ta komplikojë jetën, ashtu siç është dëshmuar në pjesën e parë të këtij sezoni”, ka thënë Ramosi.

“Ne po shpresojmë për këtë dhe do të luftojmë për titullin e ligës dhe do t’ia bëjmë të vështirë Barcelonës edhe pse ata e kanë një epërsi të rëndësishme për momentin”.

Fillimisht ishte Casemiro ai që e dërgoi në epërsi Real Madridin në epërsi, në minutën e 16-të, para se Antoine Griezmann të barazonte gjithçka në minutën e 25-të.

Goli i Griezmannit rezultoi të mos jetë vendimtar, pasi që më vonë Real Madridi kaloi përsëri në epërsi përmes golave të Sergio Ramosit dhe Gareth Bale.

Situata u përkeqësua për skuadrën e Diego Simeones në minutën e 80-të, kur Thomas Partey u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për shkak të një ndërhyrjeje dhe Atletico mbeti me dhjetë lojtarë në fushë.

scroll to top