Refugjatët, BE do prezantojë plan të ri masash

Komisioni Europian propozon një forcë me një mandat më të fortë se misioni aktual i Unionit, Frontex. Por qeveritë e disa prej vendeve anëtare e shohin mandatin në fjalë si shkelje të sovranitetit kombëtar.
Komisioni gjithashtu planifikon të propozojë sistemimin e refugjatëve direkt nga kampet turke, në përpjekje për të parandaluar që ata të marrin rrugët e rrezikshme detare.
Por Polonia thotë se do të kundërshtojë çdo lëvizje për të dërguar në kufijtë e Bashkimit Europian njësi pa aprovimin e vendit pritës.
Ministri i Jashtëm Witold Waszczykowski deklaroi se një mandat i tillë do të thotë se, “kjo do të jetë një strukturë jodemokratike dhe e pakontrolluar nga vendet anëtare”. Por nga ana tjetër ai theksoi se, ”përforcimi i FRONTEX është mëse i rëndësishëm”. 
FRONTEX, një agjenci e BE-së me bazë në Poloni, është angazhuar të dërgojë roje kufitare në Greqi, ku rreth 800 mijë emigrantë kanë mbërritur përmes detit këtë vit.
Agjencia në fjalë thotë se roli i saj është të ndihmojë në përforcimin e kontrolleve kufitare, por oficerët e saj veprojnë nën urdhërat dhe kontrollin e autoriteteve të vendit pritës.
Vendosja e oficerëve në ishujt grekë në afërsi të Turqisë parashikon rritjen e numrit të patrullave tokësore dhe detare, që do të thotë se emigrantët do të identifikohen dhe regjistrohen, thuhet në një njoftim të FRONTEX.
scroll to top