Retorika anti-muslimane nuk është trimëri

Fareed ZAKARIA

Ngjarjet e fundit të një dhune të tmerrshme në Shtetet e Bashkuara, në San Bernardino të Kalifornisë, u ndërmorrën nga sa raportohet, nga një burrë dhe një grua muslimane. Ka rreth 3 milionë muslimanë në Shtetet e Bashkuara, pothuajse të gjithë qytetarë që i binden ligjit. Si duhet të reagojnë ata ndaj veprimeve të çiftit që vrau 14 persona ditën e mërkurë?

Përgjigja që dëgjohet më shpesh është se muslimanët duhet menjëherë dhe zëshëm të dënojnë këto akte barbare. Por, Dalia Mogahed, një lidere e muslimanëve amerikanë argumenton me elokuencë se një gjë e tillë është e padrejtë. Ajo i dha këto komente në një emisionin të NBC-së me Chuck Todd.

“Sipas FBI-së, pjesa më e madhe e sulmeve të brendshme terroriste kryhen aktualisht nga të krishterë të bardhë, meshkuj…Kur këto gjëra ndodhin, ne nuk presim të njerëzit e tjerë që kanë të njëjtin besim dhe etni me ta, të dalin e t’i dënojnë veprimet e tyre. Ne supozojmë se këto gjëra i zemërojnë ata po aq shumë sa edhe të tjerët. Dhe ne na duhet të lëmë vend për të njëjtin supozim të pafajësisë së muslimanëve”.

Muslimanët përballen me standarte të dyfishta, por unë e kuptoj përsenë. Terroristët muslimanë nuk është se ashtu ndodhi që janë muslimanë. Ata pretendojnë se janë të motivuar nga feja, citojnë justifikime fetare për veprimet e tyre dhe u thonë muslimanëve të tjerë të ndjekin rrugën e tyre të përgjakshme.

Ekzistojnë grupime në të gjithë botën që shpërndajnë këtë ideologji të trazuar me fenë dhe përpiqen të joshin muslimanët të shndërrohen në terroristë. Në këto rrethana, është e rëndësishme për shumicën e muslimanëve që thellësisht janë kundër këtyre veprave, të flasin.

Por, është gjithashtu e rëndësishme që të sjellim në mendje se jetojnë 1.6 miliard muslimanë në të gjithë planetin. Nëse merrni numrin total të vdekjeve nga terrorizmi vitin e kaluar, rreth 30 mijë, dhe supozoni se 50 persona kanë qenë të përfshirë në organizimin e secilit prej tyre, (një vlerësim i ekzagjeruar ky), sërish do të dalin më pak se 0.1 për qind e botës muslimane.

Shkrimtarja Ayaan Hirsi Ali është një kritike e ashpër e Islamit. Ajo e ndan botën muslimane në dy grupe: muslimanët e Mekës dhe ata të Medinës. (pohimet kuranore për profetin Mohamed në Mekë janë më së shumti për vëllazërinë dhe dashurinë, ato në Medinë kanë zjarr e squfur). Ajo vlerëson se 3 për qind e komunitetit në të gjithë botën janë muslimanë radikalë të Medinës, pjesa tjetër prej 97 për qind i përkasin rrymës kryesore, muslimanë të Mekës.

Tani, nga 3 për qind përfitohet një numër i madh, 48 milionë dhe kjo është arsyeja përse ne shpenzojmë shumë kohë, para dhe përpjekje për të përballuar kërcënimet që mund të rrjedhin nga ata. Por, gjithsesi, janë 97 për qind të tjerë, më shumë se 1.55 miliard, të cilët nuk janë xhihadistë. Ata mund të jenë reaksionarë apo prapavijë në shumë mënyra. Por, kjo nuk është e njëjtë me të qënit terrorist.

Ndërsa unë besoj se muslimanët kanë përgjegjësinë të flasin, jo-muslimanët kanë gjithashtu përgjegjësinë të mos bëjnë supozime për ta bazuar në një pakicë kaq të vogël. Individët duhet të gjykohen si individë dhe jo të vendosen nën dyshim për disa “karakteristika të grupit”. Eshtë dehumanizuese dhe jo amerikane një gjë e tillë.

Kjo, gjithashtu, sjell keqkuptime s esi feja funksionon në jetën e njerëzve. Imagjinoni një shofer taksie nga Bangladeshi në Nju Jork. Ai nuk ka zgjedhur, në çfarëdo kuptimi, të jetë musliman. Ai u lind me këtë fe, u rrit me të dhe sikundër qindra milionë njerëz në botë nga secila fe, e ndjek atë në një përzierjeje besimi, respekti për prindërit, vëllazërimi me komunitetin dhe inercie. Njohuritë e tij për tekstet e shenjta janë të limituara. Ai përpiqet të sigurojë jetesën dhe të sjellë në shtëpi për familjen. Për të, Islami i sjell identitet dhe mbështetje psikologjike në një jetë të vështirë. Kështu duket feja për shumicën më të madhe të muslimanëve.

Por, sa vjen e rritet pikëpamja e amerikanëve që i shohin muslimanët si aktivistë që propagandojnë një ideologji të rrezikshme, ashtu si aktivistët komunistë. Nuk bëhet fjalë vetëm për Donald Trump. Kandidatët republikanë konkurrojnë me njëri-tjetrin për insinuata dhe deklarata për Islamin dhe të gjithë muslimanët. Dhe kjo nuk është në anën e duhur. Personaliteti i televizionit dhe një liberal i hapur, Bill Maher bëri këtë përgjithësim së fundmi se “Nëse jeni në këtë fe, ka gjasa që të keni vlera që janë në kundërshtim me ato amerikane”.

Ajo që është edhe më e çuditshme është të dëgjosh këtë retorikë anti-muslimane që e përshkruan veten si guximtare për të thënë të vërtetën. Trump këmbëngul se nuk do të heshtë për këtë çështje.

Chris Christie thotë se ai nuk do të ndjekë një politikë të sigurisë kombëtare “politikisht korrekte”. Ata thjesht e qartë po ushqejnë paragjykimin. Realiteti është se muslimanët janë sot minoriteti më i përbuzur në Amerikë. Besimi i tyre kritikohet vazhdimisht, dhe ata përballen me fyerje, diskriminim dhe një rritje dramatike të akteve të dhunës kundër tyre, sikundër Max Fisher i Vox ka detajuar në mënyrë të shkëlqyer.

Dhe kandidati i avantazhuar republikan ka flirtuar me idenë e regjistrimit të muslimanëve, një formë dënimi kolektiv që nuk është parë nga internimi i amerikano-japonezëve në vitet 1940.

Kjo është hera e parë që mund të sjell ndër mend kur shoh politikanët që kënaqin dëshirat e turmave, dhe më pas përgëzojnë veten për kurajon e tyre politike.

*Fareed Zakaria është kolumnist i çështjeve të jashtme në Washington Post. Ai drejton gjithashtu emisionin e tij në CNN. /tesheshi.com

scroll to top