Rritet interesimi për gjuhën turke në Maqedoni

Ka vazhduar edhe këtë vit interesimi dhe kërkesat për Institutin “Yunus Emre” në Shkup, i cili që nga themelimi në vitin 2010 qytetarëve të Maqedonisë u ka mundësuar të mësojnë gjuhën turke, por edhe rreth historisë, letërsisë dhe artit turk, raporton Anadolu Agency (AA).

Zv/drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Shkup, Fuat Korkmaz, në deklaratën për gazetarin e AA-së, tha se instituti me personelin prej 14 pjesëtarësh po zhvillon punime veçanërisht në mësimin e gjuhës turke dhe fushën e kulturës dhe artit.

Korkmaz u shpreh se sikurse çdo vit, edhe këtë vit kanë shtuar sukseset dhe kanë arritur bilanc pozitiv sa i përket mësimit të gjuhës turke. “Kemi filluar me regjistrimet. Ato vazhdojnë që nga data 15 shtator e deri më 26 shtator. Në krahasim me vitin e kaluar, mund të them se është rritur numri i regjistrimeve. Kemi pranuar shumë aplikime. Aktualisht, personeli ynë po bën çdo gjë që mundet për pranimin e aplikimeve”, theksoi Korkmaz.

Krahas mësimit të gjuhës turke, tha Korkmaz, instituti vazhdon me aktivitetet e tij në shumë fusha të tjera, duke filluar nga kultura dhe arti, deri te letërsia, teatri dhe muzika. Ai theksoi se brenda vitit organizojnë aktivitete të ndryshme, siç janë bisedat letrare, orët e përrallave turke veçanërisht për nxënësit e shkollave fillore në fshatra të ndryshme të Maqedonisë, si dhe takimet e shkollarëve që i mbledh në një vend të gjitha masat e këtij vendi.

Korkmaz shtoi se instituti është në përgatitje e sipër të kalendarit të aktiviteteve për vitin 2017, që do të jenë të qasshme jo vetëm për Shkupin, por për të gjitha qytetet e Maqedonisë.

Në gjashtë vitet e fundit turqishten ua kanë mësuar afërsisht një mijë personave

Nga ana tjetër, njëri nga mësimdhënësit e institutit, Mahmut Ayar, tha se që nga viti 2010 turqishten ua kanë mësuar afërsisht një mijë personave.

Duke bërë të ditur se vitin e kaluar në institut turqishten e kanë mësuar rreth 550 qytetarë të Maqedonisë, Ayar u shpreh se kursi i gjuhës turke realizohet në pesë shkallë dhe i ndarë në tri faza.

Përveç kurseve të gjuhës turke brenda institutit, siç theksoi Ayar, instituti vazhdon edhe me kurse jashtë objektit. Ai shtoi se trajnim ofrojnë edhe për personelin e institucioneve shtetërore të Maqedonisë, si Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Shoqërisë Informatike, si dhe për atë të organizatave dhe institucioneve turke në Maqedoni.

Ayar tha se gjatë mësimit të gjuhës turke përdoren librat të përgatitura nga ana e ekspertëve të institutit. “Krahas kësaj, natyrisht, përdorim edhe mjete teknologjike. Gjatë orëve përdorim edhe Librin Z, që është versioni elektronik i librave Yedi Iklim. Kjo ndihmon që nxënësit ta mësojnë turqishten më shpejt. Për më tepër, një shkallë e kursit të gjuhës turke përbëhet prej 144 orësh mësimore. Kurset zhvillohen në katër klasa në qendrën tonë dhe së bashku me gjithsej gjashtë mësimdhënësit tanë, kemi detyrën që turqishten në Maqedoni t’ua mësojmë të gjithë të atyre kanë dëshirë, qofshin të rinj apo të rritur. Këtë vit kemi pasur kërkesa të shumta. Sikurse gjatë viteve të kaluara, edhe këtë vit kërkesave do t’u japim përgjigje të shpejtë me ndihmën e kuadrit tanë të ekspertëve”, u shpreh Ayar.

Ndërkaq, shkupjani Muhamed Ibrahimi i cili erdhi për t’u regjistruar në kurs, tha se po vazhdon në vitin e tij të katërt në mësimin e gjuhës turke në kuadër të Institutit “Yunus Emre”.

Duke folur për shkaqet që e kanë shtyrë ta mësojë gjuhën turke, Ibrahimi tha se “Arsyeja për mësimin e gjuhës turke ka të bëjë me kulturën. Mora vendimin për ta mësuar atë për shkak se ne si popull kemi marrëdhënie të mira me shtetin dhe shoqërinë turke. Të mësuarit e turqishtes është një kënaqësi e veçantë për mua. Shpresoj të vazhdoj deri në shkallën e fundit. Shpresoj të kem sukses.”

scroll to top