Schulz: Situatë dramatike në Poloni, duket si “grusht shteti”

Kreu i Parlamentit Evropian, gjermani Martin Schulz, e gjykoi dramatike situatën në Poloni, të cilën e ka krahasuar me “një grusht shteti”, duke shkaktuar irritim të qeverisë polake, që është akuzuar nga kritikët se po kërkon të përqendrojë pushtetet.

“Kjo që po ndodh në Poloni ka karakterin e një grushti shteti dhe është dramatike. Nisem nga parimi që ne do të diskutojmë në mënyrë të detajuar këtë javë në Parlamentin Evropian apo më vonë në seancën e muajit janar”, deklaroi të hënën socialdemokrati gjerman, Martin Schulz, në përfundim të një interviste me radion gjermane “Deutschlandfunk”.
Kryeministrja polake, Beata Szydlo, theksoi se Schulz duhet t’i kërkojë falje Polonisë.
“Kjo lloj deklarate, dhe nuk është hera e parë që deklaratat e Presidentit Schulz marrin këtë ton dhe këtë karakter për sa i përket Polonisë dhe çështjeve polake, është e papranueshme për mua”, tha për gazetarët Szydlo.
“Pres nga Martin Schulz që jo vetëm të heqë dorë nga këto lloj deklaratash, por gjithashtu t’i kërkojë falje Polonisë”, nënvizoi ajo.
Ministri polak i Punëve të Jashtme, Witold Waszczykowski, i cilësoi deklaratat e Schulz si të pabaza, të pajustifikueshme dhe skandaloze.
Opozita polake akuzon Partinë Ligj dhe Drejtësi, forca politike që drejton qeverinë në Poloni, se po kërkon të përqendrojë të gjitha pushtetet dhe se përbën një rrezik për demokracinë.

scroll to top