Seancë dramatike në Kuvendin e Kosovës

Nën tensione, gaz lotsjellës dhe përplasje mes sigurimit dhe forcave politike në opozitë, Kuvendi i Kosovës ka zhvilluar sot edhe një seancë tjetër me shumë zhvillime dramatike.

Përveç skenave tashmë të para në Kuvend, si hedhja e gazit lotsjellës nga opozita dhe futja e sigurimit në sallë nga Kryesia e Kuvendit, sot është marrë një vendim edhe për pezullimin e opozitës nga punimet e Kuvendit të Kosovës.

Përpjekjet e para për nisjen e seancës u bënë në orën 11:00, por pas hedhjes së gazit lotsjellës nga deputetët opozitarë, seanca u ndërpre menjëherë.

Kryesia e Kuvendit, me propozimin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës vendosi që të thërrasë vazhdimin e seancës pa opozitën, diku rreth orës 14:00.

Seanca kësaj radhe u mbajt në sallën kryesore, ku deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, u penguan të futen brenda nga ana e sigurimit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se kjo nuk është pamje e mirë, por është në përputhje me rregulloren e punës dhe Kushtetutën.

“Në sallë janë 81 deputet. Më duhet të them që kolegët tanë opozitar janë duke e përjashtuar vetveten, qoftë duke përdorur gaz lotsjellës apo në pengimin e mbajtjes normale të seancave normale. I ftojmë të vijnë të marrin pjesë në seancë. Kjo nuk është pamje e mirë, por ne jemi të obliguar të vazhdojmë dhe vendimi është në pajtim me rregulloren e punës”, ka thënë Veseli.

Në anën tjetër, deputetët e opozitës janë përplasur me sigurimin në hollin e Kuvendit në përpjekje që të futen në sallë. Por, ata nuk u lejuan dhe opozita, edhe kësaj radhe, u kundër-përgjigj me gaz lotsjellës.

scroll to top