Sekretari Kerry do të shkojë në Moskë

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shkon ditën e martë në Moskë, për bisedime mbi procesin e paqes në Siri. Shtetet e Bashkuara thonë se nuk munden të konfirmojnë deklaratat e Presidentit rus Vladimir Putin, se Rusia po mbështet tashmë një grupim të opozitës siriane që po lufton Shtetin Islamik së bashku me forcat qeveritare.

“Siç kemi thënë edhe në të kaluarën, shumica e sulmeve ajrore të kryera nga avionë ushtarakë rusë vazhdojnë të godasin grupimet e opozitës siriane dhe jo njësitë e ISIL-it,” tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby.

Zoti Putin e kundërshtoi dje këndvështrimin amerikan, duke thënë se Moska po ofron mbulim ajror, armë dhe furnizime për Ushtrinë e Lirë Siriane, që lufton prej kohësh kundër forcave qeveritare siriane.

“Veprimet tona atje nuk udhëhiqen nga interesa abstrakte gjeopolitike, apo nga dëshira për të kryer prova me sisteme të reja armësh. Nuk është kjo gjëja më e rëndësishme. Më e rëndësishme është të parandalojmë rrezikun ndaj Rusisë,” u shpreh ai.

Zoti Putin tha gjithashtu se ekstremistët janë një “kërcënim i qartë” ndaj Rusisë dhe paralajmëroi se ushtria do të godasë menjëherë çfarëdo lloj objektivash që kërcënojnë forcat ruse në Siri.

Sipas analistëve, përpjekjet diplomatike për të gjetur pika të përbashkëta do të jenë të kufizuara.

“Nuk shikoj pika të përbashkëta midis axhendës ruse dhe asaj amerikane në Siri, me përjashtim të një dritareje të vogël – lufta kundër ISIS,” mendon analisti i Institutit të SHBA për Paqen, Elie Abouaoun.

Vizita e zotit Kerry në Moskë po zhvillohet në një periudhë kur tensionet në Ukrainë janë shtuar.

“Që nga muaji shtator, janë shtuar incidentet. Ka patur me qindra shkelje të armëpushimit nga të dyja palët, por më shumë nga pala ruse,” thotë komandanti i forcave amerikanë në Evropë, Gjeneral Leitnant Ben Hodges.

Gjatë takimit të NATO-s  në Bruksel, zoti Kerry përsëriti thirrjen ndaj Rusisë, që të respektojë marrëveshjen ndërkombëtare për Ukrainën lindore.

scroll to top