Sekretet e përgatitjes së brumit të picës

pica.jpg

Përgatitja e picës është një mjeshtëri më vete e cila kërkon durim dhe pak përkushtim.

E gjitha lidhet me brumin e bazës së picës i cili duhet të jetë i lehtë dhe i hollë, në mënyrë që pica të ketë shijen e duhur, transmeton Agro Web.

Për të përgatitur gjithmonë një picë porsi picajolët italianë ndiqni këshillat e AgroWeb.org dhe nuk do të zhgënjeheni me rezultatin.

Duke nisur nga majaja e deri tek punimi i brumit, të gjitha sekretet i kemi treguar në këtë artikull që mjafton ta lexoni fare shkurt.

Përbërësit

500g miell

300ml ujë

10g kripë

35ml vaj ulliri

5g maja e freskët

Përgatitja

Për të përgatitur brumin e picës duhet të filloni më aktivizimin e majasë.

Në një tas të vogël hidhni pak ujë të vakët dhe aty shtoni majanë, e cila duhet që të tretet.

Ndërkohë hidhni miellin në një tas dhe hapni një gropë ku do të hidhni majanë e tretur.

Filloni ta punoni me dorë miellin në mënyrë që të fillojë të krijohet brumi.

Shtoni kripën dhe vazhdoni të hidhni ujë ndërkohë që punoni brumin.

Temperatura ideale e ujit është 25 gradë, e cila lejon formimin e një brumi të butë dhe elastik.

AgroWeb.org ju këshillon që brumin ta kaloni në sipërfaqen e tavolinës dhe aty ta punoni duke shtuar sasinë e vajit të ullirit.

Sipërfaqja e brumit duhet të jetë e lëmuar dhe e butë.

Vendoseni atë në një tas dhe mbulojeni me qese kuzhine dhe lëreni për 20-30 minuta.

Më pas hapeni brumin dhe punojeni lehtë, më pas ndajeni në dy pjesë dhe lëreni që të pushojë për 2 orë.

Pasi të ketë kaluar koha e nevojitur merrni njërën nga gjysmat dhe ndajeni përsëri në dy pjesë.

Punojeni njërën nga topthat dhe lëreni të pushojë sa të fryhet pak.

Me të kaluar këtë fazë ju mund të përgatisni picën tuaj të preferuar.

Ndërsa brumin e mbetur mund ta mbështillni me qese kuzhine dhe ta ruani në frigorifer apo në ngrirje.

scroll to top