Sela flet për kushtet e pjesëmarrjes në qeveri

Në një video-postim në profilin e tij në Facebook, bartësi i Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela, ka njoftuar opinionin dhe simpatizantët e tij për kushtet që kjo aleancë i ka për mundësinë e pjesëmarrjes në bisedime për formimin e Qeverisë, shkruan gazeta “KOHA”.

“’Aleanca për shqiptarët’ me rreth 40 mijë votues, vlerësojmë se nuk i kemi pronë votuesit, por ne jemi në shërbim të tyre, në shërbim të votuesve dhe në shërbim të shqiptarëve, të asaj që ata e votuan dje, një nga një, pa shantazh dhe pa presin.

Vota e tyre ishte shërbim për platformën e Aleancës. Kjo Aleancë gjatë gjithë fushatës ka qenë shumë e qartë dhe nuk kemi lëvizur aspak nga ajo që kemi thënë: Ne përcaktohemi për gjuhë shqipe zyrtare në të gjithë shtetin dhe në të gjitha nivelet e shtetit e barabartë me maqedonishten. Aleanca për shqiptarët është edhe sot dhe do të jetë për buxhet me prerje lokale e rregulluar me Ligj në mënyrë që ndalohet eksploatimi i shqiptarëve.

Do të vazhdojmë përkrahjen për Prokurorinë Speciale të cilën do të kërkojmë të jetë kategori kushtetuese dhe do të kërkojmë themelimin e Gjykatën Speciale. Gjithashtu, kemi premtuar dhe qëndrojmë akoma që të zgjidhim të gjitha proceset e montuara politike dhe kjo të ndodhë në afat sa më rekord, në mënyrë që të dalin nga burgu, të shpallen të pafajshëm dhe të zhdëmtohen dhe të dëmshpërblehen për çdo ditë burgu me para që kanë kaluar pa faj në burgjet e Maqedonisë”, ka thënë Sela.

scroll to top