ShBA uron Shqipërinë për 25 vjetorin e përmbysjes së komunizmit

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry përshëndet Shqipërinë me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, që këtë vit shënon edhe 25 vjetorin e lëvizjes studentore, që çoi në përmbysjen komunizmit më 8 dhjetor të vitit 1990.

Në krye të këtij tranzicioni historik, thotë Kerry, ishin udhëheqësit e guximshëm të lëvizjes studentore, të mbështetur nga qytetarët e zakonshëm, të cilët marshuan dhe demonstruan kundër diktaturës, dhe të ndihmuar nga ish anëtarë kurajozë të partisë, që ndihmuan në vendosjen e një regjimi përfaqësues.
“Shqipëria ka shënuar përparime të rëndësishme gjatë këtyre 25 vjetëve. Sot Shqipëria është një aleat i përkushtuar i NATO-s, që jep ndihmesën e saj për paqe dhe stabilitet në botë”, ka thënë Kerry në urimin e tij.
Shqipëria, sipas tij, është në rrugën e integrimit të plotë Euro-Atlantik, duke kryer reformat e nevojshme për të forcuar institucionet demokratike dhe për të zhvilluar një ekonomi konkurrente tregu të lirë.
“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë miqësinë e ngrohtë me qeverinë dhe popullin shqiptar dhe dëshirojnë thellimin e partneritetit mes dy vendeve në të ardhmen”, përfundon Kerry.

scroll to top