Shqipëria, 60 vjet në OKB

Në një ceremoni të veçantë të organizuar sot nga Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me Agjencitë e OKB-së në Shqipëri, u shënua 60 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në aktivitet merrnin pjesë përfaqësues të OKB-së në Shqipëri, trupit diplomatik, institucioneve shqiptare, shoqërisë civile dhe medias.

Në 60 vite të pranisë së saj në OKB, Shqipëria ka dëshmuar të jetë një aktor i përgjegjshëm dhe dinamik, duke ndërvepruar me shtetet e tjera për një OKB të efektshme dhe koherente, e aftë të adresojë sfidat e një bote gjithnjë në ndryshim. Po ashtu, Agjencitë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vendin tonë kanë dhënë një kontribut të çmuar në përballimin e sfidave ekonomike dhe sociale si dhe në zbatimin e shumë prej politikave dhe sektorëve publikë në vend. Roli aktiv i Shqipërisë në OKB dhe bashkëpunimi i ngushtë që zhvillohet që prej një çerek shekulli më OKB-në shënuan, në vitin 2014, një hap tjetër të rëndësishëm, me zgjedhjen e Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut.

Në fjalën e tij gjatë këtij aktiviteti, Ministri Bushati u shpreh se: “nëse do të kërkonim një element apo një fill që lidh 6 dekadat e pranisë sonë në OKB, përtej sistemeve e ideologjive, ai është qëndrimi i pandryshuar i shtetit shqiptar në favor të paqes e sigurisë. Është pjesë e ADN-së sonë si komb, për të qenë në harmoni e në paqe me të tjerët”. Duke u ndalur ne ndërveprimin e Shqipërisë me Organizatën dhe shtrirjen në të gjithë spektrin e veprimtarisë së saj, Ministri Bushati evidentoi se: “Kemi kontribuar me trupa ushtarake dhe policore në Misionet e OKB-së. Jemi angazhuar në mënyrën më aktive të mundshme në mbështetje të reformës së ndihmës për zhvillim nëpërmjet zbatimit të modelit “Një OKB”. Jemi promotorë të mbrojtjes dhe respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut”.

Koordinatori i OKB-së në Shqipëri Brian Williams shprehu vlerësimin për kontributin e rëndësishëm qe ka dhënë Shqipëria në organizatë, e cila “ndonëse një vend i vogël, ka dëshmuar të jetë një zë i fortë dhe një aktor aktiv në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë, por edhe në reformimin e sistemit të OKB-së, për çka Shqipëria ka arsye të ndjehet krenare”.

Në ceremoni u shfaq një dokumentar i shkurtër mbi rolin e Shqipërisë në OKB, si dhe u prezantua një ekspozitë e hapur me dokumentet origjinale arkivore të MPJ-së shqiptare mbi anëtarësimin e vendit tonë në OKB. Në përfundimin të aktivitetit, u dha çmimi për fituesin e konkursit të realizuar nga Qendra e Ekselencës pranë MPJ-së për esenë me temë: “Të drejtat e njeriut parë nga sytë e të rinjve”.

scroll to top