Shqipëria regjistron shtetasit që jetojnë jashtë saj

Vitin e ardhshëm, me fillim nga janari, do shtetas I Shqipërisë që jeton jashtë kufijve të saj do të ketë mundësinë që të regjistrojë online vendbanimin e tij, që të mund të përfitojnë nga dhjetëra shërbime të munguara nga vendi i tyre për shkak të mungesës së adresës.
Kjo nismë është plasuar sot nga kryeministri Rama, I cili theksoi se një nismë e tillë është dashur të bëhet që moti nga shteti shqiptar.

Teksa prezantoi projektligjin “Për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë”, Rama tha se mungesa e sistemit të adresave është shëmbëlltyrë e mungesës së shtetit, ku për 25 vite, Shqipëria ende nuk ka një shifër të saktë për shqiptarët në emigrim.

“Sipas shifrave, janë mbi 4.4 milionë shqiptarë, por ne nuk dimë sa janë këtu dhe ku dhe sa janë jashtë dhe ku. Dimë që shteti e ka të vështirë t’u shkojë pas për të bërë detyrën e vete, të japë shërbime me cilësi për ata që jetojnë këtu dhe jashtë Shqipërisë.

Është një proces fatkeqësisht historik, edhe për faktin se jemi i vetmi vend i Evropës dhe besoj nga të paktët vende të botës, pa sistem adresash, me një sistem ku tjetërkund je, tjetërkund banon dhe tjetërkund shfaqesh.

Kjo është shëmbëlltyrë e mungesës së shtetit, që nuk di ku ka njerëzit e vete dhe t’ju mundësojë shërbimet që meritojnë. Shqipëria, për shkak të mungesës së një shteti serioz, ka 25 vjet që këtë pasuri të paçmuar e ka lënë jashtë inventarëve dhe shqiptarët jashtë atdheut i ka trajtuar si shtetas të huaj. Emigrantët e dinë se çfarë kanë hequr për të marrë një certifikatë”, tha Rama.

scroll to top