Shtyhet shpërndarja e Kuvendit ?

Bazuar në afatin që u dakordua më 31 gusht, Kuvendi duhet të shpërndahet më 12 tetor. Megjithatë kjo është gjithnjë e më e pasigurt. Deri tani, asnjë deputet, qoftë nga pushteti, qoftë nga opozita, s’ka dorëzuar iniciativë për shpërndarje të parakohshme të Kuvendit. Ndërkohë, në Komisionin për financa dhe buxhet u dorëzuan mbi 400 amendamente për projektbuxhetin e vitit 2017. LSDM-ja me amendament kërkoi heqje të tërësishme të taksës radiodifuzive për qytetarët dhe e njëjta të mbulohet në buxhet.

“LSDM-ja dhe opozita kërkojnë të mos ketë taksë radiodifuzive. Ja, më mirë s’mund të bëhet sesa që financimi i RTVM-së të bëhet nga buxheti i Republikës së Maqedonisë”, u shpreh Goran Sugareski, nga LSDM.

Sugareski shtoi se VMRO-DPMNE-së ndaloi emetimin e të ashtuquajturave bomba të LSDM-së në mediume të caktuara, dhe shtoi se nuk ka ligj që e mbështet këtë veprim të partisë në pushtet. Deputetja e VMRO-DPMNE-së Ane Lleshkovska e akuzoi LSDM-në se i ka lënë institucionet në gjendje kaotike.

“Kolegë Sugareski, ju gjithçka latë në kaos. Të gjitha institucionet i latë në kaos. Në Televizionin Maqedonas nuk kishte as arkivë. Por viteve të fundit gjëra po rregullohen”, tha Ane Lleshkovska, nga VMRO-DPMNE.

Ligji për zgjedhjet parashikon afat fleksibil ku Kuvendi duhet të shpërndahet 45 deri 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Sipas marrëveshjes, më 27 tetor KSHZ-ja duhet ta vendosë Listën zgjedhore për kontroll publik që do të zgjasë 20 ditë, ndërsa fushata zgjedhore fillon  më 21 nëntor, ndërsa përfundon më 10 dhjetor.

scroll to top