Si po “shtrihet” ISIS-i nëpër Europë? (HARTA)

Ndërsa ISIS-i humbet territor në Lindjen e Mesme, sulmet në Europë duket sikur janë një strategji për të bindur botën për forcën e tij. Europa është bërë shënjestra e terroristëve të Shtetit Islamik, por edhe “furnizuesja” kryesore me luftëtarë.
Një hartë e re, e përpiluar nga Instituti për Studimet e Luftës, jep një panoramë të “shpërndarjes” së ISIS-it në Europë, duke u mbështetur mbi të dhënat rreth sulmeve të realizuara apo të dështuara, vendeve ku ekstremistë të tyre janë arrestuar apo vende që kanë shërbyer si “furnizues” me luftëtarë.

Sipas studimit, ISIS-i është në mes të një fushate që ka për qëllim të terrorizojë dhe polarizojë Europën.

Në studim thuhet se grupi terrorist ka “ideuar, financuar dhe drejtuar sulme që kanë mbetur në tentativë ose janë kryer në vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Belgjika, Holanda, Gjermania, Spanja, Bosnja, Kosova dhe Turqia, që nga janari i vitit 2014.
“ISIS-i synon të ndëshkojë në këtë mënyrë vendet që janë renditur në koalicionin kundër tij. Ai kërkon të polarizojë Perëndimin, duke ngjallur reagime të ashpra shtetërore dhe sociale ndaj komuniteteve myslimane në këto vende. Shteti Islamik beson se rritja e përplasjeve mes kulturave do të destabilizojë Europën dhe do të inkurajojë myslimanët t’i bashkohen atij në Irak dhe Siri”, thonë ekspertët.

ISIS-i ka një rrjet të madh rekrutimi dhe mbështetësish në Europë. Rekrutuesit operojnë kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale dhe takimeve kokë më kokë për të bindur perëndimorët të emigrojnë drejt territoreve të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.
Propaganda e terroristëve islamikë është menduar ekskluzivisht për audiencën perëndimore, në mënyrë që mbështetësit e tij të inkurajohen për të kryer sulme në Europë dhe SHBA, pa u vënë në kontakt me liderët e ISIS-it.

Harta e mëposhtme tregon sulmet e koordinuara, sulmet e frymëzuara nga ISIS-i, shënjestrat e grupit terrorist, vendet ku janë arrestuar më shumë individë të lidhur me të dhe vendet ku janë kryer më shumë rekrutime.

Në mënyrë të veçantë, harta tregon se ISIS-i ka qenë aktiv në Francë dhe Turqi, përcjell Shekulli.
Franca, Rusia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë burimi më i madh i luftëtarëve të huaj në radhët e ISIS-it.

“ISIS-i ka përdorur belgo-marokenin Abdelhamid Abaaoud për të koordinuar një seri sulmesh në Belgjikë dhe Francë. Shteti Islamik mund të dërgojë individë me aftësi të tilla për të kryer sulme terroriste në qendra të tjera evropiane se Spanja, Maroku, Italia apo Ballkani, por nuk përjashtohen edhe vende si Holanda, Danimarka dhe Suedia. Komunikimi që ata kanë synon t’ua hedhë shërbimeve të inteligjencës”, thonë ekspertët.

harta_1449582761-602746

scroll to top