Sigurohet versioni draft i rekomandimeve nga analiza e MO-së

Rekomandimet nga analiza e Marrëveshjes së Ohrit (MO), versionin draft të të cilave e siguroi ALSAT, synojnë arritjen e një kohezioni më të madh mes komuniteteve në Maqedoni. Rekomandimet sugjerojnë “Rikthim të preambulës të Kushtetutës siç ishte parashikuar në variantin origjinal të Marrëveshjes së Ohrit”, i cili theksonte identitetin qytetar në vend të atij etnik të qytetarëve të Maqedonisë. Ashtu sikurse thuhet në rekomandim, preambula të mos kufizohet të përmendë vetëm 7 komunitetet me emër”.

Një rekomandim tjetër i rëndësishëm do të jetë miratimi i një ligji të ri për gjuhët nëpërmjet të cilit të qartësohet kuptimi i amendamentit 5 të nenit 7 të Kushtetutës, ku gjuha shqipe do të ishte gjuhë zyrtare në Maqedoni, e që do të nënkuptonte edhe zbatimin e një prej pikave më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit. Rekomandimi parashikon edhe përfshirjen e zërave konkret në buxhet për zbatimin e këtij ligji. Dokumenti, sa i përket gjuhëve, do të sugjerojë mundësi për mësimin e gjuhëve, ashtu sikurse thekson “në përdorim zyrtar”, nga fëmijët në shkolla duke përfshirë në këtë proces edhe prindërit, nxitje për përdorimin e gjuhës shqipe në sistemin e drejtësisë, por dhe përfshirja e njohjes së gjuhëve të komuniteteve që s’janë shumicë, si standard i rëndësishme për punësime dhe avancime në karrierë në administratë, sidomos për postet menaxheriale.

Rekomandim tjetër i rëndësishëm i analizës do të jetë miratimi i buxhetit qendror dhe të komunave me sistemin e votimit të dyfishtë apo siç njihet ndryshe, me Badinter. Do të duhet të krijohet një ministri e re ajo, “Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Komuniteteve” e cila do të duhet të mbikëqyrë direkt implementimin dhe avancimin e Marrëveshjes së Ohrit, thuhet në draftin e analizës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Analiza do të rekomandojë gjithashtu:

– Zgjerim të detyrimit ligjor për përfaqësim të drejtë edhe tek kompanitë e mëdha me interes shtetëror. Ky parim të përfshijë gjithë sferën publike, si dhe të jetë kusht në licencimet apo tenderimet qeveritare.
– Adresim serioz i gjuhës së urrejtjes dhe krimeve me bazë urrejtjen, duke i përfshirë në Kodin Penal.
– Rritje të decentralizimit me masa konkrete buxhetore.
– Sistemim të të gjithë të punësuarve nga sekretariati në institucionet shtetërore.
– Rregullim i statusit të individëve dhe familjeve të viktimave nga konflikti i vitit 2001.

Po ashtu, analiza do të rekomandojë që:
– Të merret në konsideratë zgjerimi i Komisionit Parlamentar për Marrëdhënie Ndëretnike me më shumë përfaqësues të komuniteteve të tjera.

Analiza për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, bëhet prej disa muajsh nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe ndihmohet nga Instituti Evropian për Paqe, me përfaqësues Piter Faith, si dhe nga OSBE-ja. Nuk është saktësuar se kur do të bëhet publike zyrtarisht analiza, por paralajmërimet kanë qenë për gjatë muajit dhjetor. Analizimi i Marrëveshjes së Ohrit ishte pjesë edhe e rekomandimeve nga raporti i Progresit i BE-së për Maqedoninë.

scroll to top