Slider

Specialja sot shpall vendimin për Gucatin dhe Haradinajn

Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin vendimin më 18 Maj për dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nas im Haradinaj.

Seanca, ku do të shpallet vendimi, është paraparë të nisë në ora 10:00. Gucati dhe Haradinaj akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje si dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Nëse gjenden fajtorë për veprat që rëndojnë ndaj tyre, ZPS-ja ka kërkuar që ata të dënohen me gjashtë vjet burgim dhe gjobë prej 100 eurosh për gjithsecilin.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

Në aktakuzë thuhet se këto dokumente, kopje të të cilave u janë shpërndarë gazetarëve, kanë pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, të cilët mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe në rastin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

OVL e UÇK-së ka thënë se këto dokumente i ishin dërguar kësaj organizate nga një person anonim. Fillimisht, Gjykata Speciale nuk kishte konfirmuar autenticitetin e dokumenteve, por në procesin gjyqësor iu referua atyre si “dokumente zyrtare” të këtij institucioni.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button