Takimi i Parisit mbi ndryshimet klimatike

Shtëpia e Bardhë njoftoi sot në takimin e Parisit mbi ndryshimet klimatike se 73 kompani amerikane u janë bashkuar një premtimi për të mbështetur veprimet mbi ndryshimet klimatike.

Objektivat përfshijnë reduktimin e çlirimit të gazeve të dëmshme me 50 përqind, pakësimin e përdorimit të ujit me 80 përqind, dhe blerjen e energjisë së ripërtëritshme për të plotësuar 100 përqind të nevojave të tyre.

Po të martën, presidenti francez Francois Hollande njoftoi se Franca do t’u japë vendeve afrikane 2.1 miliard dollarë gjatë katër viteve të ardhshme për të zhvilluar burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe për të zëvendësuar përdorimin e lëndëve djegëse fosile.

Presidenti amerikan Barack Obama u takua sot me udhëheqësit e një grupi të vendeve të vogla ishuj të prekura nga ndryshimi i klimës.

Disa krerë të qeverive që po marrin pjesë në Takimin e OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike dje miratuan masa për mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e pyjeve.

Brazili dhe Norvegjia kanë deklaruar se ato do të zgjerojnë partneritetin e tyre për mbrojtjen e pyjeve të tropikale të Brazilit. Britania, Gjermania, dhe Norvegjia njoftuan synimin e tyre për të siguruar 1 miliard dollarë në vit për pesë vitet e ardhshme si nxitje për vendet që do të përmbushin objektivat e përcaktuara nga Kombet e Bashkuara për pakësimin e emetimeve.

Kolumbia njoftoi gjithashtu se do të zbatojë planet e saj për të ashtuquajturën “rritje të gjelbër”, me ndihmën e Britanisë, Gjermanisë dhe Norvegjisë.

Presidenti Obama të hënën u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të “shfytëzojnë këtë moment”, duke u thënë se përparimi i tyre në takimin e Parisit, do të matet nga “vuajtjet që do shmangen dhe një planet që është i konservuar”.

Obama tha se vendet e udhëheqësve të pranishëm ndajnë një ndjenjë urgjence për qëllimin e tyre të pakësimit të emetimeve të fosileve dhe kufizimin e rritjes së temperaturave globale, dhe përmendi disa përparime që Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët tashmë kanë bërë.

“Detyra jonë këtu në Paris është që këto arritje të kthehen në një kornizë të qëndrueshme për përparim të njeriut,” tha ai. “Jo në një masë për zgjidhje të përkohshme, por në një strategji afatgjatë që i jep botës besim për arritjen e një të ardhme me nivel me të ulët të çlirimit të dioksidit të karbonit”.

Udhëheqësit janë duke punuar për të rënë dakord mbi masat detyruese për të ndalur rritjen e temperaturës globale në më shumë se 2 gradë celsius mbi nivelet e revolucionit para-industrial. Agjencia e OKB-së për Motin thotë se temperaturat mesatare globale do të rriten me 1 gradë Celsius deri në fund të vitit 2015. Duke marrë parasysh këtë rritje OKB po bënë thirrje për vendosjen e kufizimieve për të parandaluar rritjen e temperaturave që mund të kenë pasoja katastrofike globale.

 

Thirrje për veprim

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se takimi mbi ndryshimet klimatike “duhet të jetë vendimtar dhe një pikë kthese” dhe se udhëheqësit “kanë fuqinë për të siguruar mirëqenien e këtij brezi dhe brezave pasuese”.

“Ju jeni këtu sot për të shkruar skenarin për një të ardhme të re, një të ardhme të shpresës dhe premtimit për rritjen e begatisë, sigurisë dhe dinjitetit për të gjithë”, tha zoti Ban. “Ne kemi nevojë që bota ta dijë se po shkojmë drejt një ulje të nivelit të emetimeve, një të ardhme të mire klimatike dhe nuk do ketë kthim prapa”.

Presidenti francez Francois Hollande paralajmëroi për pengesat që udhëheqësit e 195 vendeve që po marrin pjesë në takim do të ndeshen në arritjen e një marrëveshje të detyrueshme në Paris, duke përfshirë ligjshmërinë e një marrëveshjeje, financimin për vendet më të varfra dhe monitorimin e premtimeve të vendeve për të kufizuar nivelin e çlirimit të gazeve serrë. Deri tani këtë vit, 183 vende kanë nxjerrë plane afatgjata për t’u përballur me ndryshimet klimatike, por negociata të vështira priten në këtë takim deri më 11 dhjetor.

Një përpjekje në Kopenhagë në vitin 2009 për të arritur një marrëveshje globale dështoi në një takim mbi ndryshimet klimatike që ishte i përfshirë nga përçarjet dhe ndarjet mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra.

Presidenti Obama të hënën bëri thirrje për një marrëveshje që hap rrugën për objektiva të përditësuara rregullisht.

“Synime që nuk janë të përcaktuara për secilin prej nesh, por nga secili prej nesh, duke marrë parasysh ndryshimet me të cilat po përballet çdo vend,” tha ai.

Para fillimit të takimit, Presidenti Obama u takua me presidentin kinez Xi Jinping dhe tha se të dy vendet kanë një vizion të përbashkët të asaj që është e nevojshme në një marrëveshje, duke përfshirë hapat drejt një ekonomie globale me nivel të ulët të çlirimit të karbonit dhe përpjekjet për të ndihmuar financiarisht vendet në zhvillim në realizimin e objektivave.

“Si dy ekonomitë më të mëdha në botë dhe të dy emetuesit më të mëdhenjë të dioksidit të karbonit, ne jemi përcaktuar se është përgjegjësia jonë për të ndërmarrë veprime, dhe që nga njoftimi ynë historik i objektivave tona të përbashkëta klimatike pas vitit 2020, në takimin e vitit të kaluar në Pekin, më shumë se 180 vende kanë shpallur objektivat e tyre”, tha presidenti Obama. “Pra, udhëheqja jonë në këtë çështje ka qenë absolutisht jetike”.

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar të ulin nivelin e emetimeve deri në 28 përqind në periudhën deri në vitin 2025, ndërsa Kina tha se objektivat e saj për uljen e emetimeve do të arrijnë kulmin rreth vitit 2030.

 

Obama zhvilloi gjithashtu bisedime të veçanta të hënën mbi “kërcënimin urgjent” të ndryshimit të klimës me kryeministrin e Indisë Narendra Modi. Presidenti amerikan theksoi punën e Indisë në një aleancë diellore për të prodhuar energji të pastër me kosto të përballueshme për vendet në zhvillim.

“Unë dua të theksoj se në Paris duhet të njohim dhe të mbrojmë aftësinë e vendeve si India për të përmbushur përparësitë e zhvillimit, rritjes dhe çrrënjosjes së varfërisë. Unë e di se kryeministri Modi është thellësisht i shqetësuar për këto çështje”, tha presidenti Obama.

Së bashku, Shtetet e Bashkuara, Kina dhe India përbëjnë rreth gjysmën e nivelit të çlirimit të dioksidit të karbonit në botë, një gaz që ngrohë atmosferën dhe që shkencëtarët e kanë identifikuar si shkakun kryesor të rritjes së temperaturave globale.

 

Siguria në Paris

Franca thotë se rreth 2,800 policë dhe ushtarë po kujdesen për sigurinë në Le Bourget, vendin ku po mbahet takimi mbi ndryshimet klimatike, dhe 6,300 të tjerë janë dislokuar në mbarë Parisin. Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve ka thënë se rreth 1,000 njerëzve që besohet se paraqesin rrezik për sigurisë u është mohuar hyrja në Francë.

Të dielën, një ditë para fillimit të takimit të Parisit, qindra mijëra protestues në mbarë botën morën pjesë në demonstrate ku bëhej thirrje për miratimin e politikave për ruajtjen e mjedisit në nivel global. Aktivistët u bashkuan në zemër të kryeqytetit francez mes masave të larta të sigurisë, pas sulmeve terroriste vdekjeprurëse të Shtetit Islamik muajin e kaluar ku u vranë 130 njerëz.

Më pak se një orë pas mbërritjes në Paris, Presidenti Obama bëri një ndalesë të paparalajmëruar jashtë teatrit Bataclan, ku vendosi lule në një memorial të improvizuar për 90 njerëzit e vrarë gjatë një koncerti më 13 nëntor.

Më pas të hënën, gjatë fjalimit të tij në takimin mbi ndryshimet klimatike, presidenti Obama tha se bota qëndron e bashkuar në solidaritet me kryeqytetin francez.

“Ne përshëndesim banorët e Parisit për këmbnguljen e tyre që kjo konferencë e rëndësishme të mbahet këtu. Një akt i sfidës që provon se asgjë nuk do të na pengojë nga ndërtimi i një të ardhme që ne e duam për fëmijët tanë”, tha presidenti Obama.

scroll to top